Lajme

Situatë e qetë në veri, policia ruan ndërtesat komunale

Policia e Kosovës në Zveçan, 27 maj / Foto: Reuters

Një ditë pas përleshjeve midis Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se pranë ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ka prani të Policisë së Kosovës. Po ashtu, policë ka edhe brenda ndërtesave.

Para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit janë vendosur tri autoblinda policore me rreth 20 pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Në afërsi të ndërtesës së komunës, po ashtu janë parë ekskavatorë që po heqin rërën e hedhur një ditë më parë para ndërtesës së Komunës.

Situata në këtë komunë raportohet e qetë dhe gjendja është kthyer në normalitet, teksa janë hapur dyqanet dhe lokalet e gastronomisë.

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të hynin në ndërtesat komunale. Këto ndërtesa, paraprakisht ishin përdorur nga institucionet paralele serbe.

Ky veprim u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë, të cilët u përleshën me policinë. Autoritetet e sigurisë përdorën shok-bomba dhe gaz lotsjellës, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.

Disa vetura policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.

Faktori ndërkombëtar e cilësoi si shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.

Por, autoritetet kosovare fajësuan Serbinë dhe “strukturat ilegale dhe bandat kriminale” për situatën e krijuar, teksa thanë se Policia e Kosovës po realizonte detyrat e saj.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se veprime të tilla do të rezultojnë “me pasoja” në raportet dypalëshe me Kosovën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Kosovës përshkallëzuan “tensionet pa nevojë, duke i minuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”./REL

/Shqip.com