Lajme

Situata në veri i heq vizat e Kosovës nga agjenda e takimit të ambaasadorëve të BE-së

Flamuri i Bashkimit Evropian dhe ai i Kosovës

Propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, u hoq nga agjenda e takimit të sotëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Siç raporton REL, arsyet për këtë janë politike dhe lidhen me situatën në veri të Kosovës.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje.

Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor.

“Bëjmë thirrje për çtensionim të menjëhershëm të situatës aktuale në Kosovë, në lidhje me targat e makinave”, tha në anën tjetër Eva Hrncirova, zëdhënëse e trupit të ambasadorëve, Coreper.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar, për shkak të vendimit të Qeverisë për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave që bartin targa ilegale serbe.

Serbët në veri, të kontrolluar në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat e Kosovës, RKS, dhe kanë paralajmëruar rezistencë ndaj tyre.

Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për shtyrje të procesit të riregjistrimit, Kurti nuk ka hequr dorë.

Aktualisht është e pezulluar – deri më 24 nëntor – faza e dytë e planit të tij, në përpjekje për t’i dhënë shans gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar për në Bruksel  për tu takuar me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq nën ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Krahas kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se 48 orë janë të mjaftueshme për çtensionim dhe për një shansë të re për bisedime.

/Shqip.com