Lajme

Situata emergjente në Deçan – Gastroenterologu Berisha sqaron pse është vështirë të gjendet shkaktari

Visar Berisha, gastroenterolog

Gastroenterologu Visar Berisha të mërkurën ka dhënë disa sqarime se pse nuk është e lehtë të gjendet shkaktari i rasteve që dyshohet për helmim nga uji i pijes në Deçan.

Që nga e shtuna e 10 korrikut, mbi një mijë e 500 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, për shkak të dyshimeve se janë helmuar nga uji i pijes që vjen nga ujësjellësi “Hidrodrini”.

“Pse nuk është e lehtë të dihet shkaktari i emergjencës mjekësore në Deçan?! Sepse është vështirë i identifikueshëm. Nëse ka qenë uji i kontaminuar nga faktorë biologjikë (bakterie ose viruse) koha e vetëpastrimit të ujit të rrjedhshëm është e shpejtë, prandaj janë vështirë të kapshëm (nëse nuk po flasim për një burim permanent të infeksionit); Po ashtu, edhe mostrat e fecesit joshpesh japin rezultate të pritura; koha e paraqitjes te mjeku, trajtimi paraprak me antibiotikë etj”, ka thënë ai.

Se përse dikush shfaq simptome e dikush jo, Berisha ka thënë se kjo bëhet sepse “ka njerëz me barrierë antibakteriale e antivirusale më të fortë se tjerët”.

Ai ka sqaruar po ashtu se pse po kanë simptome edhe disa qytetarë që s’kanë konsumuar ujin e njëjtë.

“Sepse nuk është vetëm uji burim, por edhe prekja me duar, ushqimi, të ushqyerit e përbashkët…”, ka shpjeguar Berisha.

Se sa mund të zgjasë kjo situatë, Berisha ka thënë se nëse është infeksion bakterial do të ketë lokalizim më të shpejtë, por nëse është virale, duhet të pritet.

“Pse nuk duket se po flasim për helmim me agjentë jobiologjikë? Sepse simptomatologjia do të duhej të ishte sistemike, që prek edhe sisteme tjera të organizmit (sistemin nervor, psh.)”, ka shkruar tutje ai./Shqip.com