Lajme

Sipas Krasniqit, cilët hapat duhet të merren për ta jetësuar peticionin për largimin e kryetarëve në Veri?

Ministri i Administrimit dhe Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi
Ministri i Administrimit dhe Pushteti Lokal, Elbert Krasniqi

Elbert Krasniqi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka shkruar në Facebook, të mërkurën pas përgatitjes së kërkesës për inicimin e procedurave për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

Krasniqi ka thënë se nga raportimet në media, kanë kuptuar se qytetarë nga Komunat e Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, kanë përgatitur kërkesën për inicimin e procedurave për largimin e kryetarëve të komunave nga vijnë.

“Siç jemi të informuar gjatë ditës së djeshme në Komunën e Mitrovicës Veriore, kërkesa nga ana e qytetarëve nuk është drejtuar zyrtarisht tek Kryesuesi i Kuvendit Komunal. Ndërsa në Komunat Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, përveç raportimeve nga media nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare drejtuar kuvendeve komunale respektive”, ka shkruar ai.

“Për këtë çështje po ndërmerren të gjitha masat praktike që qytetarët tanë të ushtrojnë të drejtat e tyre që burojnë nga Ligji për zgjedhjet lokale dhe Udhëzimi Administrativ përkatës. Meqënëse kjo është një nismë që kërkon disa njohuri praktike gjejmë rastin të rendisim edhe njëherë disa çështje kryesore lidhur me këtë proces”, ka vazhduar Krasniqi

Ai ka renditur hapat që duhet të merren për ta jetësuar peticionin për largimin e kryetarëve në Veri:

• Udhëzimi administrativ, përcakton qartë procedurat e inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.

• Inicimi i kërkesës niset nga së paku tre qytetarë me të drejtë vote në atë komunë.

• Qytetarët e interesuar duhet të themelojnë një grup nismëtar.

• Grupi nismëtar njofton zyrtarisht Kryesuesin e kuvendit komunal. Brenda pesë ditëve atyre duhet t’u kthehet përgjigje.

• Pas pranimit të kërkesës Kryesuesi i Kuvendit Komunal njofton kryetarin e komunës përkatëse, MAPL-në dhe KQZ-në.

• Ndërsa institucionet komunikojnë zyrtarisht mes tyre për të krijuar kushtet që ua mundëson qytetarëve këtë nismë.

• Pra, pas pranimit të kërkesës dhe njoftimit të Kryetarit, MAPL-së dhe KQZ-së vijojnë procedurat dhe afatet e përcaktuara me udhëzimin administrativ.

 • Kërkesa e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni duhet të nënshkruhet nga të paktën 20% e votuesve.

Ndërkohë deri në këto momente nuk ka asnjë kërkesë të pranuar nga Kryesuesit e kuvendeve komunale dhe rrjedhimisht asnjë njoftim nga kryesuesit për MAPL-në.

Ne jemi të gatshëm që sapo ky proces të nisë zyrtarisht të plotësojmë menjëherë detyrat tona.

MAPL do të njoftojë publikisht për vijimësinë e këtij procesi.

/Shqip.com