Lajme

Sindikatat për tri projektligjet: Stafi politik po avancohet, shërbyesit civil po diskriminohen

Shoqatat sindikale të shërbyesve civil të institucioneve qendrore kanë kritikuar tri projektligjet e propozuara nga Qeveria e Kosovës për zyrtarët civil, atë për paga dhe për KPMShCK-në.

Nga sindikata e shërbyesve civil, Ali Sefaj ka thënë se këto projektligje duhet të kenë karakter jodiskriminues, pra të parashihte pagë të njëjtë për punë të njëjtë.

Ai tha se në këtë draft janë avancuar stafe politike tejmase, ndërsa zyrtarët profesional që duhet t’i kryejnë punët janë diskriminuar.

“Sot kemi mundësinë e fundit ndoshta që bashkërisht ta themi mendimin në lidhje me tri ligjet të cilat janë domethënëse jo vetëm për ne, por për shtetin në tërësi, pasi këto ligje determinojnë statusin juridik. Nëse këto ligje do të jenë të mira dhe të duhura do të bëjnë që të kemi reformë të mirëfilltë në administratën shtetërore. Reforma e mirëfilltë në administratë është më e rëndësishme se çdo projekt tjetër.

“Ligji për paga do të duhej të kishte karakter jodiskriminues, të parashihte pagë të njëjtë për punë të njëjtë, vlerësim jetik për secilin qytetarë të Kosovës. Me këtë draftligj janë avansuar stafet politike tejmase, ndërsa zyrtarët profesional që duhet ti kryen punët e përditshme kanë vend të numëruar dhe nuk paguhen të gjithë njëjtë. Ligji nuk ka rrjedhe logjike.Vlera e koeficintit duhet të ishte jo ajo e propozuar, por të lidhet me pagën minimale. Kjo vlerë me 132 euro e demanton pagën minimale.

Ai ka thënë se kanë kërkuar që të kenë një koeficient fiks.

“Ne kemi kërkuar që vlera e koeficientit të jetë fikse dhe ndryshimi të përcaktohet me ligjin e pagave, që më pas ndryshimi të rrjedh i kombinuar mbi rritjen ekonomike dhe inflacionin. Ndryshimi i nenit dhjetë të ndodhë vetëm në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo luftës.

“Ne kemi kërkuar nga komisioni diciplinor që njëri nga anëtarët të jetë anëtar i sindikatës dhe më të drejtë votës. Tek rasti i ndërrimit të vendit të punës, nuk duhet të vendosin ata, pasi dërgimi në vende të largëta pamundëson arritjen në vendin e punës.

Tutje ai ka thënë duhet të këtë mirëkuptim dhe të ulë moshën e pensionimit nga 65 në 60, veçmas për ata që janë të sëmurë në aspektin fizik dhe të krijojë mundësi që të dalë në pension më herët.

Sipas tyre, nen tjetër problematik është kufizimi i mandateve.

Ndërsa, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka thënë se e rëndësishme për ta është që administrata shtetërore të fitojë me këtë ligj.

“Jemi këtu të diskutojmë për këto ligje që janë shumë të rëndësishme për ndërtimin e shtetit tonë. Sa ma të avancuara të jenë ligjet tona, aq do të jetë edhe produktiviteti ynë në punë. Ne si BSPK jemi duke e mbikëqyrë këtë proces, dhe këto diskutime do të na ndihmojnë shumë”.

Kurse, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, tha se degradimi në pozita nuk duhet të ndodhë.

/Shqip.com