Lajme

Sindikata e Punëtoreve të Aeroportit kërkon shkarkimin e drejtorit të Limak, pas shkeljeve në projektin për zgjatjen e pistës

Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit “Adem Jashari” kërkon nga prokuroria dhe policia të hetojë menaxhmentin e aeroportit pasi këta të fundit i kanë përjashtuar nga puna ata punëtor të cilët kishin sinjalizuar parregullsi të ndryshme.

Ata akuzojnë drejtorin e operimeve, Gokmen Aritay se është i përfshirë në përjashtimin e punëtorëve.

Kërkesa e tyre vie pas raportimit të gazetës  Shqip.com se një punëtor i aeroportit ishte përjashtuar nga puna pasi kishte sinjalizuar parregullsitë të cilat ishin bërë në zgjatjen e pistës së aeroportit. 

Për zgjatjen e pistës ishin investuar 33 milionë euro.

Inxhinieri i ndriçimit i fushës ajrore që punonte në Aeroportin e Prishtinës, Demë Elezaj

Inxhinieri i ndriçimit i fushës ajrore që punonte në Aeroportin e Prishtinës, Demë Elezaj, u kishte raportuar vazhdimisht eprorëve për shkeljet që po bëheshin në zgjatjen e pistës së aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari” që në fund do të rezultonte me probleme që mund të shkaktonin incident apo aksident gjatë operimit të aeroplanëve. 

Elezaj ishte përjashtuar nga puna pasi sinjalizoi për rreziqet.

Kryetari i Sindikatës, Bashkim Latifi për SHQIP.com deklaron se organet e hetuesisë duhet të merren me rastin.

“Ne jemi të shqetësuar se një punëtor është përjashtuar nga puna vetëm pse ka treguar se nuk ishte në rregull në atë mënyrë se qysh po ndërtohej pista ngase vinte në rrezik sigurinë e aeroplanëve. Çfarë ka bërë Gokmen Aritay dhe njerëzit e tij e kanë larguar këtë punëtor nga puna.

“Organet duhet të merren me këtë rast sepse punëtori ka sinjalizuar se me punimet shkel e shko po rrezikohej siguria kombëtare. Mirëpo po shohim se nuk ka diçka nga prokuroria por ne apelojmë që të niset hetimi”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe në të kaluarën disa punëtor ishin larguar nga puna pasi kishin sinjalizuar se në aeroportin ndërkombëtar nuk kontrolloheshin çantat e pasagjerëve.

 “Kanë përjashtuar punëtoret vetëm pse kanë sinjalizuar se nuk po kontrolloheshin çantat. Në çdo vend të botës punëtorët shpërblehen kurse këtu ndëshkohen. Kjo duhet të marrë fund dhe duhet të hetohet menaxhmenti i aeroportit”, ka thënë ai. /Shqip.com