Lajme

Sindikata e Re e KEK-ut të premten proteston, zhgënjehen nga Kurti

Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës, të premtën do të mbajë protestë.

Lajmin, ekskluzivisht për Shqip.com e ka konfirmuar kryetari i kësaj sindikate, Rafet Osmani.

“Të premtën më datë 10 dhjetor duke filluar nga ora 11.00 do të mbajmë protestë para ndërtesës së KEK-ut”, tha ai.

Përmes protestës, punëtorët e KEK-ut kërkojnë që të aplikohet paga e 13-të dhe respektimi i Ligjit të Punës për sëmundjet profesionale.

“Ne i kemi bërë disa kërkesa siç janë respektimi i ligjit të punës për sëmundjet profesionale, paga e 13-të që në bazë të marrëveshjes kolektive na takon, KEK i ka dhënë devidentë Qeverisë dhe me kontratën kolektive të përgjithshme duhet të ceket se në rast që kompania ka mundësi ta japë pagën e 13-të- duhet ta japë. Qeveria ka marrë vendime që vetëm punëtorët esencialë të punojnë mirëpo punëtorë esencial janë të gjithë punëtorët e KEK-ut”, ka thënë  Osmani.

Protesta e punëtorëve të KEK-ut

Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë ka për qëllim të përcaktojë masat për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë, përcjell Shqip.com.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media yë mbajtur të dielën tha se “mundësitë për rritje pagash janë relativisht të vogla”.

E për këtë çështje, Osmani tha se Kurti me ardhjen në krye të qeverisë, nuk i ka mbajtur premtimet e dhëna.

“Për të janë të vogla pasi tash duhet ta menaxhojë buxhetin e shtetit ashtu siç e kanë menaxhu të tjerët deri sot dhe nuk po reflekton ashtu siç ka premtuar”, tha Osmani për Shqip-in.

Kryetari i sindikatës së re të KEK-ut, tha se mosmbajtja e premtimeve nga krerët e institucioneve “është arsyeja e veçantë që sindikatat i shtyen të mbajnë protesta dhe të mbajmë edhe greva për shkak se nuk respektohet e drejta e punëtorit pasi punëtori cilësohet si vegël pune”./Shqip.com