Lajme Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të minatorëve në Stantërgë, Gani Osmani, ka thënë se bordi dhe Qeveria duhet t’i plotësojnë kërkesat e tjera që i kanë që nga paslufta.

Sindikata e punëtorëve të Trepçës kundër pensionimit të parakohshëm

Ndërmarrja "Trepça"

Sindikata e punëtorëve të minatorëve të minierës së Stantërgut të ndërmarrjes publike Trepça është shprehur kundër pensionimit të parakohshëm të punëtorëve.

Kjo ofertë u është dhënë atyre nga bordi i ndërmarrjes me 25 korrik.

Të gjithë punëtorët që duan të dalin në pension, u është thënë se kanë kohë të plotësojnë formularët e nevojshëm deri me 20 korrik.

Por, me këtë nuk po pajtohet sindikata, kryetari i së cilës, Gani Osmani, në një përgjigje për Shqip.com ka thënë se bordi duhet t’i plotësojë kushtet e tjera dhe jo të ofroj mundësi të pensionimit të parakohshëm.

“Bordi e ka sjell këtë ofertë në Trepçë dhe ua ka interpretuar punëtorëve. Ne kemi pas një takim me bordin dhe kryeshefin, bashkë me disa punëtorë më të vjetër mbi moshën 60 vjeçare që janë në marrëdhënie punë dhe u kemi thënë se sindikata nuk është pro kësaj oferte. Ne i kemi thënë bordit që ne jemi kundër kësaj dhe pro kërkesave tona që i kemi kërkuar prej pas luftës: për njohjen e përvojës së punës, sigurimin shëndetësor, pensionin familjar etj”, tha Osmani.

Ndërmarrja Trepça

Punëtorët e rijnë kanë të drejtë t’i marrin 24 paga dhe të shkëpusin marrëdhënien e punës me Trepçën.

Ndërsa, punëtorët të cilët pritet të pensionohen deri në vitin 2026, mund të marrin 60 për qind të pagës dhe të dalin në pension të parakohshëm.

Por, se a ka interesim nuk kanë informacione nga sindikata.

“Nuk e di sepse nuk jemi në rrjedha. Ne ju kemi thënë ju jeni Qeveri dhe bëni çka të doni ndërsa punëtorëve u kemi thënë se sindikata nuk qëndron mbrapa kësaj”.

Trepça ka të punësuar rreth 620 punëtorë.

Kjo ndërmarrje vazhdon të ketë probleme me të hyrat.

Si rezultat, atyre nuk është paguar as kontributi pensional nga viti 2019.

Problemet me të hyra, bën që kjo mundësi t’u jepej edhe punëtorëve të ndërmarrjes publike Telekomi./Shqip.com