Lajme

Simmons: Rasti “Kleçka” asnjëherë s’është dashur të shkojë në gjykim

Malcolm Simmons flet për rastin "Kleçka"

Ish-shefi i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, gjatë raportimit të tij para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, tha se rasti “Kleçka”, sipas tij nuk do të duhej të shkonte asnjëherë në gjykim, transmeton Shqip.com.

Simmons gjatë kësaj seance që po mbahet me anë të një video-lidhjeje, tha se në këtë rast kishte “dëshmi jo të plota” dhe hetimi për të ka kushtuar miliona euro.

Sipas tij, nuk ka dyshim që të burgosurit serbë dhe ata shqiptarë janë vrarë në Kleçkë, por thekson se nuk ka prova.

“’Drenica’ nuk ishte rasti i vetëm ku BE e ka konsideruar si pjesë të rëndësishëm të dialogut Prishtinë-Beograd. Në vitin 2013 kam qenë caktuar si kryesues te paneli i rastit ‘Kleçka’, ku ishte i përfshirë edhe politikani Fatmir Limaj. Gjykimi i parë ka përfunduar i drejtuar nga një gjykatës britanik ku është thënë se ka dëshmi të pamjaftueshme për të akuzuarit. Rasti ‘Kleçka’ ka qenë një rast që asnjëherë nuk është dashur të shkojë në gjykim. Gjykatësi nuk ka humbur kohë për të shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me lirimin në rastin e ‘Kleçkës’. Sipas fjalëve të tij, shtetet anëtare të BE-së presin dënime, më shumë se një herë më është thënë se nëse nuk e rrisim numrin e dënimeve shtetet anëtare nuk do të arsyetojnë shpenzimet e larta dhe të gjithë do të jemi të papunë”, tha ai.

Ish-kryetari i Gjyqtarëve të EULEX-it ka raportuar lidhur me pretendimet për skandalet e EULEX-it në Kosovë, duke përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet te dëshmitarët.

Simmons ka dhënë dorëheqje nga ky institucion, duke akuzuar këtë mision dhe BE-në për korrupsion.

Vetë Simmons ishte kryesues i trupit gjykues të misionit EULEX në rastin “Kleçka”, në të cilin ishin të përfshirë ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të UÇK’së.

Ata u shpallën të pafajshëm më 17 shtator të vitit 2013, ndërsa vendimi është marrë nga Simmons. /Shqip.com