Lajme

Simmons: EULEX kurrë s’i ka mohuar akuzat e mija, synonte t’i largojë nga jeta politike disa “peshqi të mëdhenj”

Ish-gjyqtari i EULEX-it në kosovë, Malcolm Simmons raporton para Deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, thotë se ky mision dhe vetë Bashkimi Evropian i janë përgjigjur atij me sulme personale ndaj pretendimeve të tij sa i përket skandaleve të korrupsionit, por në anën tjetër asnjëra palë asnjëherë nuk i kanë mohuar këto pretendime, njofton Shqip.com.

Kështu u shpreh ai në seancën e sotme informative që po mbahen me anë të video-lidhjes me anëtarët e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, duke shtuar se EULEX-i dëshironte të rrëzonte një pjesë të klasës politike kosovare.

“EULEX-i dhe BE-ja asnjëherë nuk i kanë mohuar akuzat që i kam bërë për korrupsion ndaj tyre, por më janë kundërpërgjigjur duke bërë sulme personale ndaj meje”, ka thënë ai.

Simmons tha se kishte direktiva që gjykatësit e këtij misioni t’i largonin nga skena politike disa politikanë që konsideroheshin si “peshqi të mëdhenj”, duke i dënuar.

“Më kanë thënë se misioni ka synuar të largojë nga jeta politike persona që quheshin ‘peshqi të mëdhenj’. Më thanë se presin të shohin gjykatësit e EULEX-it t’i dënojnë ata”, tha Simmons.

Ai u tha deputetëve se mund t’u ofrojë detaje për secilin rast ku ka pasur ndërhyrje me karakter politik, por këtë do ta bëjë në rast se deputetët vendosin ta hapin një hetim të plotë për këtë gjë.

“Nëse ju vendosni të hapni një hetim të plotë, unë dua t’ju ofroj detaje të plota të rasteve kur ka pasur ndërhyrje në hetime”, tha Simmons, duke shtuar se ky mision ka pasur ndërhyrje edhe në email-et e tij. /Shqip.com