Lajme Ballkan

Simiq: Nuk e ndaj optimizmin e disa politikanëve evropianë që besojnë në zgjidhje të shpejta të çështjes së Kosovës

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, thotë se nuk mund të ndajë optimizmin e disa politikanëve evropianë që besojnë në zgjidhje të shpejta të çështjes së Kosovës.

Ai sqaron se ky nuk është qëndrim i tij i bazuar në ndonjë ndjenjë, por rezultat i qartë i sjelljes së regjimit antiserb në Prishtinë, i cili dëshiron t’i shmangë detyrimet e tij në çdo mënyrë, por edhe t’i heqë të gjitha të drejtat që, së paku u garantohen serbëve në Kosovë.

Më tutje Simiq thotë se që nga themelimi i saj, Lista Serbe ka mbrojtur qëndrimin se dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, pra Beogradit dhe Prishtinës.

“Në situatat kur nuk ka dialog, takime në Bruksel dhe bisedime, si rregull kemi lëvizje të njëanshme të Prishtinës në terren, sulme ndaj serbëve”, thotë Simiq.

Ai thotë se para çdo analize ndaj planit franko-gjerman duhet të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe.

“Nëse po flasim për propozimin evropian, mendoj se para çdo analize të atij plani është e nevojshme të zbatohen marrëveshjet ekzistuese, të nënshkruara dhjetë vjet më parë, dhe natyrisht të formohet Asociacioni pa asnjë vonesë siç është rënë dakord në Bruksel në vitin 2013 dhe 2015” thotë Simiq, raporton Kurir.

Takimi i radhës midis Kosovës dhe Serbisë pritet të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

/Shqip.com