Lajme

Sigurimi shëndetësor për policët ende mbetet premtim në letër

Ilustrim

Tash e 22 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës, rreth nëntë mijë pjesëtarë të saj, pavarësisht rreziqeve që i hasin në punë, ende nuk janë të pajisur me sigurim shëndetësor.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku, për Shqip.com ka thënë se është shqetësues fakti që Policia e Kosovës nuk është e pajisur me sigurim shëndetësor e jetësor.

Kreu i Byrosë Kosovare tregon se në dy vitet e fundit, nuk ka pasur ndonjë kërkesë për takim lidhur me shqyrtimin e mundësisë së jetësimit të këtij Ligji.

Zyrtarët policorë.

Sipas tij, Qeveria duhet ta ketë prioritet zbatimin e këtij ligji, duke e pasur parasysh angazhimin e zyrtarëve policorë në kohën e pandemisë por edhe në situata tjera.

Lexo edhe:
Çdo të shtunë, në orën 19:00 – “N’Shënjestër, emisioni më i ri në Shqip.com

“Mendoj që Qeveria duhet ta ketë këtë prioritet, duke e pa angazhimin e Policisë së Kosovës edhe në kohën e pandemisë edhe në format tjera, mendoj që jemi vonë në këtë drejtim”.

Por, në mungesë të përkrahjes për sigurim jetësor dhe shëndetësor për policët, Policia e Kosovës ka bërë një tjetër zgjidhje.

Në një përgjigje me shkrim për Shqip.com, Policia e Kosovës ka treguar se në rast se ndonjë zyrtar policor vdes në krye të detyrës, ky institucion merr obligim që familjarëve të tyre t’ua ndaj gjashtë paga bruto deri në momentin kur zyrtari i mbush 65 vite.

“Duke u bazuar në Ligjin e Policisë, Udhëzimin, Rregulloren e vendimet përkatëse, kategorizohet vdekja e zyrtarëve policor, ku Policia e Kosovës merr obligim që familjarëve t’u ndaj gjashtë (6) paga bruto(bazë), pension deri në momentin kur i ndjeri i bënë gjashtëdhjetë e pesë (65) vite”, thuhet në përgjigje.

Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku

Tutje, PK për Shqip.com ka bërë të ditur se për zyrtarët policorë që lëndohen gjatë kryerjes së detyrës, ata marrin përsipër sigurimin e trajtimit jashtë vendit nëse nuk është i mundur në Kosovë si dhe shpenzimet tjera lidhur me rehabilitimin e punonjësit derisa t’i rikthehet aftësia për punë.

“Policia e Kosovës i ofron përkrahje çdo Punonjësi të Policisë së Kosovës të lënduar në detyrë, si: Përkrahje në pushimin mjekësor me pagesë deri sa ti rikthehet aftësia për punë në detyrë për çdo punonjës të lënduar në detyrë; Sigurimi i trajtimit jashtë vendit, kur trajtimi nuk është i mundshëm në Kosovë, dhe kompensimi i trajtimit; Rehabilitimi i punonjësit të PK-së të lënduar në operacione policore në Qendër Rehabilituese; Kompensimi i shpenzimeve të trajtimit të ngjarë për shkak të lëndimit në detyrë”, njofton Policia e Kosovës.

Ligji për sigurime shëndetësore është miratuar në vitin 2014 nga Kuvendi i Kosovës, por asnjëherë nuk është zbatuar.

Lexo edhe:
Shqip.com shpall konkurs për gazetarë dhe praktikantë

Mazreku tregon se gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, ka pasur takime me drejtuesit e Policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe me kompanitë e sigurimeve.

Ai thotë se kishin formuar një grup punues që kishte propozuar dy pako të sigurimeve ku është paraparë edhe çmimi që do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës.

“Meqenëse Ligji për sigurim shëndetësor po vonohet, ka pasur alternativa që Qeveria ta ndajë një fond për MPB-në, ku ky fond të mbulojë Policinë e Kosovës për sigurim shëndetësor e jetësor”, u shpreh ai.

Sipas propozimeve që ata i kishin bërë, parashihej që në sigurimet shëndetësore të zyrtarëve policorë të përfshiheshin edhe anëtarët e familjes, ku e gjithë kostoja do të kushtonte rreth katër milionë euro në vit.

“Në atë kohë sa e di buxheti nuk ka qenë i lartë sepse bëhet fjalë për diku rreth 9 mijë policë, ka qenë një ofertë ekstra qenë rreth 4 milionë euro vjetore për komplet Policinë që i përfshinë sigurimin jetësor dhe shëndetësor.

E kemi paraparë që nëse dëshirojnë edhe Policia që ta lënë të hapur mundësinë edhe për anëtarët e familjes që ta shfrytëzojnë pakon e grupit familjar”, tha ndër tjerash ai.

Shqip.com ka tentuar që të marrë përgjigje edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës rreth kësaj çështjeje, por që të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndryshe, në planprogramin e Qeverisë Kurti, është theksuar se njëri nga prioritetet e qeverisjes është ndryshimi i Ligjit për Sigurim Shëndetësor./SHQIP.com