Lajme

Si vendosi Prokurori Njazi Rexha që Kaça me grupin kriminal të liheshin të lirë

Kontrabanduesi me mallra serbe, Besim Zeqiri (Kaça)

Prokurori, Njazi Rexha, vendosi që Kaça me bashkëpunëtorët e tij të liheshin të lirë, sepse lëndën po e cilësonte të parashkruar duke e arsyetuar veprimin e tij se të njëjtit nuk kishin realizuar përfitimet në vlerën e akuzës.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Zeqirit i cili bashkë me Ismet Zeqirin dhe të pandehurit Milan Radisavljeviq dhe Aleksander Rakiçeviq, që në fillim të vitit 2012 dyshohet se kishin themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Në aktakuzën e prokurorisë thuhej se në periudhën kohore qershor- dhjetor 2014, të lartpërmendurit me pjesëtarë të tjerë, kanë kontrabanduar 52 ngarkesa me derivate të naftës, 2 ngarkesa me vaj hidrol dhe 3 ngarkesa me nitro- tretës.

Për këtë sasi ata akuzoheshin se i ishin shmangur detyrimeve doganore në vlerë të 30 mijë eurove, dhe të njëjtat ua kishin shitur bizneseve në disa qytete të vendit.

Si rrjedhojë, ata ngarkoheshin me: veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, kontrabandim i mallrave, tregti e ndaluar dhe shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Pas pesë seancave të mbajtura, me 2 nëntor 2019 Prokuroria e Mitrovicës e mbylli njërën nga dosjet më të rëndësishme të kontrabandës.

Prokurori i këtij rasti, Njazi Rexha pati vendosur që lënda të cilësohet e parashkruar, kjo me arsyetimin se të njëjtit nuk kishin realizuar përfitimet në vlerën e akuzës.

Si rrjedhojë, Zeqiri dhe të tjerët u liruan.