Kulturë

Si i anuloi qeveria dy koncerte – në Prizren e Prishtinë – vetëm 15 minuta para se të fillonin?

Koncerti

Vendimi i çuditshëm i Qeverisë për të anuluar koncertet dhe mbrëmjet muzikore në ambiente të jashtme, por për t’i lënë ato ta vazhdojnë brenda lokaleve edhe më të çuditshme e kishte formën e njoftimit.

“Vetëm 15 minuta para se të fillojë koncerti”, ishte njoftuar Menan Kiseli, Organizatori Artistik i koncertit në Komunën e Prizrenit, se nuk do të mund ta mbajë atë.

Njëjtë kishte ndodhur edhe me koncertin e Prishtinës. Të dy koncertet parashiheshin të mbaheshin në sheshet e qyteteve për të pritur vitin e ri.

Arsyetimi, sipas Qeverisë së Kosovës, ishte për shkak të masave anti-COVID’19, meqë rastet ditëve të fundit filluan të shtoheshin e variante të reja të virusit gjithashtu u bën prezente.

“Drejtpërdrejtë aty 15 minuta para së të fillojë koncerti, pra kemi qenë duke realizuar provat. Fillimisht ka lëvizur orari ishte nga 18:30 deri në 21:30 edhe pse të gjitha kafenetë kanë qenë ‘spicë’ me njerëz, kurse te ne nuk kishte më shumë se 20 veta, por që më pas na u ndalua i gjithi”, thotë, i mllefosur, Kiseli për Shqip.com.

Ai ka deklaruar se e gjithë kjo është mungesë e koordinimit në mes të nivelit lokal dhe atij qendror.

“Tri ditë e kemi montuar binën dhe ata e kanë parë. Është dashur shumë ma herët të tregojnë”.

Menan Kiseli, Organizatori Artistik i koncertit në Komunën e Prizrenit

Ai, i frustruar me çfarë ngjau, shton se “këta nuk kanë lidhje njëri më tjetrin duke mos u koordinuar niveli lokal me qendror”.

“Iu kam thënë atyre: ‘i keni krijuar tri shtete’ (qeveria, komuna, policia)”.

Për Kiselin absurditeti i vendimit kishte vazhduar me një tjetër urdhër të pakuptueshëm nga policia.

“Ju kanë penguar edhe reflektorët dhe mi kanë dhënë kohë pesë minuta më i ndalë”, deklaron ai, duke pyetur retorikisht se “çka ka lidhje ndriçimi me COVID-19?”.

“Kjo është katastrofë nuk është në rregull, pasi COVID është në të gjithë botën dhe jo vetëm në shatërvan”, ka shtuar ai.

Shqip.com ka kontaktuar edhe me Komunën e Prizrenit, ku kanë treguar që në komunë ishin të vullnetshëm për ta realizuar këtë koncert, madje edhe ndihmuan rreth marrjes së lejes fillimisht.

“Koncerti ka qenë i organizuar nga një numër i këngëtareve dhe artisteve të Prizrenit që kanë dashur të bëjnë një mbrëmje kulturore për Natën e Vitit të Ri. Komuna ka asistu për të marrë lejen për të vendosur binën, mirëpo Komuna e Prizrenit nuk ka paguar asnjë faturë për këtë organizim”, kanë thënë në përgjigjen e dërguar për redaksinë.

Kryetari i Odës së Hotelerisë edhe Turizimit, Afrim Muqiqi

Me vendimin është shprehur i pezmatuar edhe kryetari i Odës së Hotelerisë edhe Turizimit, Afrim Muqiqi.

Ai për Shqip.com ka thënë se më këto veprime qytetarët po detyrohen që të bëjnë punën ilegalisht pastaj.

“Masat janë shumë të pakuptimta, sepse këto masa vlejnë për të pavaksinuarit. Ato janë vetëm sa për sy dhe faqe pasi në gjithë territorin e Kosovës janë mbajtur organizime pa asnjë lloje mase, kështu masat e pakuptimta po na detyrojnë që në mënyre ilegale t’i kryejmë eventet e ndryshme”, ka deklaruar ai.

Muqiqi ka thënë se për këtë gjë kanë përgatitur një raport të detajuar nga data 25 dhjetor dhe po presin Ministrin e Shëndetësisë për të diskutuar.

“Jemi duke e pritur Ministrinë e Shëndetësisë që të kemi një takim, pasi kemi përgatitur materialin që nga data 25 dhjetor se çka ka ndodhur në të gjithë territorin e Kosovës.

Lexo edhe:
Komuna e Prishtinës anulon performancat live në “Prite n’shesh”

“Ku është logjika që të anulohen vetëm sa për sy e faqe kur koncertet në ambiente të mbyllura janë mbajtur me 5-10 mijë veta”, ka shtuar ai.

SHQIP.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por deri në momentin e publikimit të temës nuk është dhënë një përgjigje./SHQIP.com