Lajme

Shumica e shkollave në Prishtinë s’i kanë zëvendësuar orët e humbura në grevë

Edhe pse në bazë të kalendarit të publikuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, orët e humbura gjatë grevës duhet të zëvendësoheshin, kjo gjë nuk ndodhi në shumicën e shkollave në Prishtinë.

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, Besianë Masmurati ka thënë se orët nuk janë mbajtur për shkak se prindërit nuk i kanë dërguar fëmijët në shkollë.

“Fatkeqësisht shumë pak, orët në shumicën e shkollave nuk janë mbajtur të shtunave për shkak që prindërit nuk i kanë dërguar fëmijët e tyre në shkolla. Gjithë stafi i mësimdhënësve ka qenë në shkollë të shtunave. Kështu që është një situatë më të vërtet e re edhe mund të them edhe deri diku e çuditshme sepse deri më tani nuk kemi pasur këso lloj zhvillimesh kështu që po shpresoj që Ministria e Arsimit ka me dal me një plan që të na tregoj se si të zëvendësohen orët e humbura sepse përfundimisht ato janë orë të humbura”, tha Masmurati.

Lidhur me kalendarin nga MASHTI, Masmurati mendon që është i drejtë, por fillimisht duhej të bëhej një konsultim në mes palëve.

“Po patjetër, unë mendoj që orët duhet që të zëvendësohen, sepse orët janë humbur. Unë mendoj që ministria e Arsimit është dashtë që të konsultohet me komuna, dhe komunat pastaj të konsultohen me shkolla, që shkollat vetë ta vendosin një lloj orari kur është më i përshtatshëm edhe kur mund të zëvendësohen orët gjatë javës sepse shumë shkolla e kanë komoditetinë që të mbajnë orë shtesë gjatë ditëve të javës edhe ndoshta me kombinuar me ndonjë vikend, por gjithmonë në bashkëpunim me prindërit. Edhe mendoj që po të decentralizohej ky proces më shumë e të mos mbahej gjithçka në nivel të ministrisë pa konsultim fare me komunat, mendoj që e ka dhënë rezultatin e vetë. Një mësim i mirë ka qenë nga greva se jo bashkëpunimi nuk është sjellje që duhet ti qoj përpara qoftë nivelin komunal, qoftë niveli qeveritarë. Unë mendoj që vetëm me bashkëpunim me të gjithë akterët mundemi me arrit rezultate më të mira. Mendoj që mund të organizohej më mirë po të ishin shkollat ato që do ta vendosnin vetë”, tha ajo.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, foli edhe për projektet që ka komuna në fushën që ajo udhëheq.

“Disa nga prioritete kryesore që i kemi për vitin 2023 e që janë edhe vazhdimësi e viti 2022, është ndërtimi i shkollave dhe çerdheve të reja në Prishtinë, digjitalizimi, fillimi i procesit të digjitalizimit në arsim, siguria në shkolla si dhe renovimi i shumë shkollave në Prishtinë”.

Ajo shtoi se për renovimin e shkollave kjo drejtori parasheh që t’i investoj 1.5 milionë gjatë këtij viti.

 “Gjendja nuk është shumë e mirë, kjo për shkak se shumica e objekteve shkollore në Prishtinë janë ndërtuar kohë më herët edhe kemi objekte shkollore të cilat janë kogja të vjetra dhe në të cilat nuk është investuar mjaftueshëm sa i përket infrastrukturës. Prandaj për këtë arsye e kemi filluar edhe një lloj fushate të renovimeve të shkollave sidomos shkollave që janë më të vjetra, shkolla Naim Frashëri, Sami Frashëri, Elena Gjika e të tjera. Kanë shumë nevojë për renovime, ne vetëm se kemi filluar me dy shkolla me renovim komplet, shkollën fillore ‘Iliria’, të njëjtin model e kemi bërë edhe në shkollën Pjetër Bogdani dhe sivjet i kemi të buxhetuara 1.5 milionë euro që planifikojmë t’i shfrytëzojmë për renovime të shkollave”, tha ajo.

Kujtojmë se për shkak të grevës së përgjithshme të shpallur nga Bashkësia e Sindikatave të Pavarura në Kosovë duke përfshirë edhe atë të SBASHK-ut, shkollat në vend kanë qenë për një kohë të gjatë në grevë.

Përkundër grevës, disa shkolla filluan procesin mësimor duke mos hyrë në grevë e disa duke e pezulluar atë.

Në mes shumë përplasjeve në mes sindikatës dhe Qeverisë, greva u pezullua ndërsa për orët e humbura, stafi arsimor u obligua për zëvendësim.

Ky zëvendësim i orëve nuk është mirëpritur as nga stafi arsimor dhe as nga prindërit duke u cilësuar i bërë një anshëm nga ana e Qeverisë së Kosovës.

/Shqip.com