Lajme

Shtyhet vizita e Cholletit në Ballkan, presidenca tregon arsyen

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka shtyrë vizitën me një delegacion amerikan në Ballkan, kanë thënë nga Presidenca e Kosovës.

Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, ka thënë se vizita e paraparë për 30 korrik me liderë shtetërorë të Kosovës, është shtyrë për shkaqe objektive, raporton REL.

“Nuk ka anulim të vizitës, por jemi informuar se ka shtyrje të datës për gjithë turin ballkanik (pra Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi) për shkaqe objektive të njërit nga anëtarët e delegacionit”, ka thënë Kupina.

Chollet e ka vizituar Kosovën, dhe disa vende të Ballkanit, në janar të këtij viti.

Ai pati thënë atëherë se Shtetet e Bashkuara do të jenë në pritje të një propozimi nga Qeveria e Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

/Shqip.com