Lajme

Shtyhet seanca ndaj Shaban Gogajt në mungesë të avokatit

Seanca gjyqëore ndaj Shaban Gogajt

Në mungesë të mbrojtësit, është anuluar seanca ndaj Shaban Gogaj, i cili po akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit, Agonis Tetaj.

Lidhur me mungesën e avokatit Gëzim Kollqaku, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova tha se i njëjti është ftuar me ftesë të rregullt, por ka refuzuar pranimin e ftesës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I kontaktuar nga ana e gjykatës për refuzimin e ftesës, i njëjti ka thënë se do ta paraqes me shkrim, por deri më tani gjykata nuk ka marrë ndonjë parashtresë nga ana e tij”, tha gjykatësja.

I pyetur nga kjo e fundit, nëse ka angazhuar avokat tjetër, i akuzuari Gogaj u përgjigj: “Unë avokat e kam Besnik Berishën, avokat tjetër nuk kam nevojë me angazhu”.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Husaj-Rugova mori vendim që kjo seancë të shtyhet dhe e radhës u caktua më 31 janar 2022.

Lidhur me seancën e radhës, për avokatin Gëzim Kollqaku, gjykata do të vendosë jashtë seancës, duke vepruar sipas dispozitave ligjore.

Më 28 qershor 2021, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, e ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e Shaban Gogaj.

Kjo pasi, avokati Berisha i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”. Fillimisht, për këtë ai është dënuar me 500 euro gjobë, për çka, avokati Berisha nuk ka ngelur i befasuar e duke u shprehur me fjalët “shyqyr që ekzistojnë shkallët e tjera”. Pas kësaj, gjykatësja Husaj-Rugova ka marrë aktvendim për përjashtimin e tij.

Më 1 dhjetor, avokati Besnik Berisha ka njfotuar se përmes tij, i akuzuari Shaban Gogaj ka parashtruar padi kundër trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë, të kryesuar nga kryetarja e këtij trupi gjykues, Violeta Husaj Rugova dhe anëtarëve Florije Zatriqi dhe Sami Sharraxhiu, për kompensimin e dëmit jomaterial në shumë prej 100 mijë euro.

Gjithashtu, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, në një konferencë për media të mbajtur më 10 dhjetor, lidhur me përjashtimin e avokatit Besnik Berisha në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ka thënë se këtij të fundit po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit. Po ashtu, Ejupi në atë konferencë ka thënë se çdo avokat që nuk respekton vendimet e tyre bën shkelje disiplinore.

Më 25 dhjetor, Ministria e Drejtësisë (MD) ka miratuar propozimin për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të OAK-së për moscaktim të avokatit në rastin Gogaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje ka privuar nga jeta Agonis Tetajn./SHQIP.com