Lajme

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryeshefit të KPM-së

Ilustrim
Ilustrim

Për shkak të pengesave teknike, ka dështuar të mbahet të mërkurën shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, i cili po akuzohet për korrupsion.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi bëri të ditur se zyrtarët e IT-së kanë qenë të njoftuar nga shqyrtimi i kaluar gjyqësor që sot do të mbahet seanca në këtë sallë, ashtu që do t’iu nevojiten pajisjet për dëgjim, por që tani janë njoftuar nga zyrtari i IT-së se nuk mund të dëgjohet audio, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për arsye se një zyrtar tjetër i ka larguar pajisjet nga salla, kështu që na bën të pamundur që të vazhdojmë me këtë shqyrtim gjyqësor edhe pse zyrtarët kanë qenë të njoftuar që në këtë shqyrtim do të nevojiten pajisjet”, tha Ajvazi.

Po ashtu, gjykatësi Ajvazi njoftoi se në këtë seancë ka ndryshim të trupit gjykues, ashtu që në vend të gjykatësit Avni Syla, ishte gjykatësi Ngadhnjim Arrni.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohet audio-incizimi si provë materiale me biseda që e inkriminojnë me veprën penale të akuzuarin Latifi.

Në këto rrethana, seanca e sotme është shtyrë, ndërsa e radhës u caktua të mbahet më 3 maj 2023.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve Luan Latifi dhe Arben Bilalli, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

Ndërsa, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Latifi, avokatit Driton Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi  dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.

Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.

Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.

Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Telkos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke iu thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”, dhe më pas më 29 qershor 2021, i akuzuari Bilalli ishte takuar me të dëmtuarin Haziri.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ia kishin gjetur shumën prej 8 mijë euro dhe ia kishin sekuestruar.

Për këto veprime, dy të akuzuarit thuhet se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. /Betimi për Drejtësi

/Shqip.com