Kulturë

Shtyhet festivali Sunny Hill

Organizatorët e një prej festivaleve më të njohura që organizohet në Kosovë, Sunny Hill nuk do të mbahet këtë vit.

Arsye për këtë vendim janë vonesat në përgatitjen e vendit për organizimin e festivalit.

“Këtë vit, ne po bëjmë gati shtëpinë tonë të re, hapësirën e përhershme të festivalit në Bërnicë. Një vend, i cili ua mundëson gjithë pjesëmarrësve ta marrin përvojën më të mirë që ata të gjithë e presin dhe meritojnë. Përjetimet e paharrueshme që i sjell Sunny Hill Festival janë më të rëndësishmet. E pjesëmarrësit në festival e meritojnë absolutisht më të mirën. Në të gjitha aspektet, përfshirë edhe hapësirën kushtuar festivalit, me infrastrukturën e plotë”, thuhet në njoftim.

Organizatorët kanë theksuar se nxitimi i procesit të punës, do të zvogëlonte cilësinë dhe esencën e asaj që Sunny Hill Festival e përfaqëson.

“Duke qenë edhe vet fansa të muzikës dhe festivaleve, ne besojmë shumë në ofrimin e përvojës unike dhe të jashtëzakonshme që ne si festival duhet ta ofrojmë. Prandaj, kemi marrë vendimin e vështirë për ta shtyrë edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival, që t’i japim kohë krijimit të hapësirës së re. Ruani datat për një edicion masiv të Sunny Hill Festival në fundjavën e parë të gushtit 2024”.

/Shqip.com