Shtrenjtohen drunjtë për ngrohje, Qytetarët: Çmimi nuk është i përballueshëm
Pas rritjes së çmimeve të energjisë elektrike e karburanteve, drunjtë për ngrohje kanë përcjellur të njëjtën rrugë.
Në këtë pjesë të Prishtinës, Sheqir Alshiqi, del çdo ditë për të shitur drunj.
Ai, e pranon se rritje ka pasur, por, sipas tij, s’është aq e madhe sa rritja e çmimit të rrymës.
“Çmimi i druve është duke u sillë në treg nga 45 në 47 euro n’varet krejt qysh i dojnë myshteria, kanë disa që i marin të gatshme të prera dhe janë më shtrenjtë. Pak krejt pak 1 euro deri në 2 euro jo më shumë edhe pse janë rrit çmimet e tjera, këtu të na ka dhënë Zoti, s’është rrit çmimi”, tha Alshiqi.
Kërcimi i madh pritet të ndodhë vitin e ardhshëm.
Pasi kërkesa për drunj është shtuar e numri i njerëzve që merren me shitjen e tyre ka rënë.
“Verës që vjen ka me shku çmimi edhe më i lartë, shkaku i punëtorëve sepse ka mungesë, ka shtrenjtim të naftit, dhe qajo ka me ndiku, njëherë për njëherë nuk është rrit çmimi”, deklaroi ai.
Çmimet mbase Alshiqi vetë s’i ka rritur aq shumë, por qytetarët tregojnë një histori tjetër.
Musa Nimoj thotë se çmimi i lëndëve djegëse është i papërballueshëm për qytetarët.
“Po blejmë dru, po shkon 55, nga 40 deri në 55 euro. Për xhep të qytetarit të Kosovës nuk është i përballueshëm, me të ardhurat që i kemi është shumë çmim i madh. Për ata që e shesin është i lir, por për neve që e blejmë është i shtrenjtë”, tha Nimoj.
Se çmimi është mbi 50 euro e thonë edhe qytetarë të tjerë.
“Çmimi është duke shkuar në 50 euro, por n’varet nga cilësia drunjëve, bung, qarr a qka janë, por ky që është më kualitativ 50 euro është çmimi i tyre”, deklaroi Nimoj.
“Duhet me kursy, por është ftoft dhe nuk mund të kursen duhet me shti dru sa tmunësh, kur është nxehtë atëherë është ma kollaj” tha ai.
Çmimet e druve për djegie në Kosovë dallojnë në varësi të llojit.
Mirëpo sipas tregtarëve në Prishtinë, ky çmim është i ngjashëm në të gjithë Kosovën./Shqip.com