Lajme

“Shtimja përsëri e lirë”, vjen reagimi i Naim Ismajlit

Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli.

Qytetarët e Shtimes do të kërkojnë nga kryetari i tyre që të jetë më unifikues, e jo përçmues.

Kështu ka thënë kryetari në largim i Shtimes, Naim Ismajli për kryetarin e ardhshëm të kësaj komune, Qemajl Aliu.

Aliu pasi mori rezultatin fitues nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, shkroi në Facebook duke thënë se “Shtimja është sërish e lirë pas 21 viteve”.

Por, një deklaratë e tillë për Ismajlin është e papranueshme, madje i sugjeron pasardhësit së tij që ta kalojë “adoleshencën politike”.

“Qyetarët do të kërkojnë që kryetari në deklarimet publike të jetë unifikues dhe jo përçmues dhe s’di se kush mund ta nxjerrë atë deklaratë që Shtimja është çliru në këtë kohë. Atëherë për çka janë ata martirë e dëshmorë, cili është kuptimi i tyre”, ka thënë Ismajli në T7.

Statusi në Facebook i Qemajl Aliut

Ndaj kësaj deklarate ka pasur shumë reagime – një i ngjashëm ka ardhur nga nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Çitaku ka thënë se fitorja e VV-së është “rrotacion demokratik”, duke shtuar se Kosova është çliruar 21 vite më parë.

Më 14 nëntor në Shtime, Lëvizja Vetëvendosje mori 194 vota më shumë sesa Partia Demokratike e Kosovës.

Kështu, Qemajl Aliu me 50.71 për qind apo 9 mijë e 920 vota do të jetë kryetar i ardhshëm i Shtimes – duke e thyer bastionin e PDK-së. /Shqip.com