Lajme Ballkan

Shtetasja ruse e akuzuar për spiunazh kërkon azil politik në Shqipëri

Shtetasja ruse, Svetlana Timofeeva, e akuzuar për spiunazh nga autoritetet shqiptare, ka kërkuar azil politik në Shqipëri.

Timofeeva, 33 vjeçe nga Rusia, u arrestua më 20 gusht të vitit 2022 së bashku me dy shtetas të tjerë, Mikhail Zorin, 23 vjeç nga Rusia dhe Fedir Aplatov nga Ukraina, pasi tentuan të hynin në ambientet e uzinës së armëve në Gramsh dhe hodhën sprej neuro-paralizues ndaj dy ushtarëve që ruanin objektin ushtarak.

Ajo po mbahet në paraburgim në burgun e grave në Tiranë, ndërsa çështja ndaj saj gjykohet në gjykatën e Elbasanit, pasi zona ku ndodhi ngjarja, Gramshi, përfshihet në këtë qark.

Avokati mbrojtës i shtetases ruse më 10 mars i ka drejtuar kërkesën për azil Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Tiranë.

Kërkesa vjen tre muaj pasi Moska kërkoi ekstradimin e saj, pasi akuzohet për “Marrje të paligjshme të informacionit, që përbën sekret shtetëror”.

“Nëse kthehem në Federatën Ruse do të persekutohem për shkak të bindjeve te mia politike”, pretendoi 33-vjeçarja ruse, raporton REL.

/Shqip.com