Lajme Botë

Shtëpia e Bardhë: Serbia po tërheq ushtrinë nga kufiri me Kosovën

Pas rreth 1 jave, ushtria serbe ka filluar tërheqjen nga kufiri me Kosovën. Deklarata vjen nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby i cili tha këtë të martë se Serbia po largon forcat ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

“Që kur deklaruam publikisht se kishim parë forcat serbe përgjatë kufirit, i kemi parë se kanë filluar t’i tërheqin ato forca nga aty. Kjo është diçka pozitive, do të ndihmojë për të shtensionuar situatën. Nuk do t’i eliminojë tensionet, por do ta zbusë situatën”, u tha Kirby gazetarëve në Uashington.

Reagimi nga Uashingtoni për tërheqjen e forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin për një grumbullim të madh ushtarak nga Serbia përgjatë kufirit me Kosovën, që sipas tyre përfshinte artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara. Shtetet e Bashkuara e quajtën këtë grumbullim “të pashembullt”.

Kirby tha se Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë të shtojnë numrin e trupave paqeruajtëse amerikane në KFOR, ndërkohë që NATO-ja ka paralajmëruar se do të rrisë numrin e trupave në kuadër të misionit të saj në Kosovë pas sulmit të grupit të armatosur serb në pjesën veriore të vendit më 24 shtator.

9 ditë situatë e tensionuar në veri
Situata në veri të Kosovës u përshkallëzua pasi një grup terroristësh serbë sulmuan patrullën e policisë duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Pas atentatit, terroristët, të udhëhequr nga Milan Radoiçiç u futën në manastirin e Banjskës dhe i bënë rezistencë Forcave Speciale të Kosovës së Kosovës. Për pasojë, tre nga terroristët serbë mbetën të vrarë, ndërsa disa te tjerë u plagosën.

Këtë të martë, policia serbe njoftoi se ka ndaluar për 48 orë organizatorin e sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës, Milan Radoiçiç, nënkryetar i Listës serbe. Policia e Kosovës e identifikoi Radoiçiçin në ambientet e Manastirit i veshur me rroba kamuflazhi ushtarak dhe i armatosur. Edhe pse identifikimi i tij u që të dielën e kaluar, policia serbe vetëm sot ka bërë ndalimin e Radoiçiç.

Nga ana tjetër, Interpol Prishtina kërkon ekstradimin e tij dhe përballjen me akuzat përpara drejtësisë së Kosovës.

/Shqip.com