Lajme Botë

Shtëpia e Bardhë paralajmëron “sanksione të konsiderueshme” ndaj Rusisë, pas vdekjes së Navalnyt

Shtëpia e Bardhë / SHBA
Shtëpia e Bardhë / SHBA

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha sot se Shtetet e Bashkuara do të njoftojnë të premten një paketë me sanksione të konsiderueshme ndaj Rusisë në përgjigje të vdekjes së udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny në një burg në Arktik.

Duke folur për gazetarët ndërsa nisej për udhëtim drejt Kalifornisë, zoti Biden nuk dha më tepër detaje, por tha se do të jepte më shumë informacion mbi paketën e masave të premten.

Më herët, as zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby nuk pranoi të jepte detaje mbi sanksionet e reja, duke referuar për këtë politikat e qeverisë amerikane. Ai gjithashtu nuk pranoi të jepte informacion se si këto masa të reja do të zgjerohen tek sanksionet e ashpra që aktualisht Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë vendosur ndaj Rusisë si kundërpërgjigje për sulmin e saj ndaj Ukrainës.

Zoti Kirby tha se sanksionet, të cilat do të përkojnë me dy vjetorin e agresionit rus ndaj Ukrainës, do të “plotësohen në mënyrë të veçantë me sanksione shtesë lidhur me vdekjen e zotit Navalny”.

Zoti Kirby tha se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë të qartë se si vdiq Navalny, por këmbënguli se në fund, përgjegjësia bie mbi Putinin.

“Pavarësisht nga përgjigja shkencore, përgjegjës për këtë është Putini”, u tha gazetarëve zoti Kirby.

Ai shtoi se ambasada e SHBA-së në Moskë ka kërkuar më shumë informacion në lidhje me vdekjen e Navalny-t, “por është e vështirë të arrihet në një pikë ku mund të besosh atë që thonë rusët për vdekjen e tij”.

Presidenti amerikan, Joe Biden

Departamenti i Thesarit refuzoi të komentonte mbi detajet e sanksioneve të pritshme.

Nënsekretari i Departamentit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson gjendet këtë javë në Evropë për të vazhduar punën mbi sanksionet ndaj Rusisë, në prag të dyvjetorit të agresionit të saj ndaj Ukrainës.

“Vendosja e sanksioneve të pashembullta nga koalicioni botëror kundër makinerisë ruse të luftës ka shkaktuar pengesa në përpjekjet e Kremlinit për furnizimin dhe pajisjen e ushtrisë së saj. Presidenti Biden së fundmi zgjeroi kompetencat e Departamentit të Thesarit me qëllim që të vihen në shënjestër ata që financojnë kapacitetet e prodhimit rus të luftës, edhe nëse ato ndodhen apo janë vendosur në vende të treta dhe Departamenti i Thesarit po vëzhgon me shumë vëmendje ata që përpiqen të shmangin sanksionet tona”, tha Departamenti i Thesarit, javën e kaluar.

Ekspertët politikë kanë dalë me një numër propozimesh nëpërmjet të cilave synohet që Rusisë t’i shterrojnë fondet monetare të nevojshme për vazhdimin e agresonit të saj, duke filluar nga konfiskimi i fondeve të Bankës Qendrore Kombëtare Ruse të depozituara kryesisht në Europë deri në uljen e tavanit të çmimit nga Grupi i të Shtatëve për naftën ruse.

Në një dokument zyrtar të muajt shkurt të Grupit Ndërkombëtar të Punës mbi Sanksionet Ruse të Universitetit Stanford kërkohet vendosja e sanksioneve dhe më të rënda mbi tregun energjitik rus, si ulja e tavanit të tanishëm të çmimit të naftës së prodhuar në Rusi nga 60 në 30 dollarë si dhe plotësim i masave për ndalimin nga ana e Bashkimit Europian dhe vendeve të G7 të blerjeve të hidrokarbureve ruse.

/Shqip.com