Lajme

Shtatë vjet burgim për personin që theri tetë herë me thikë gruan e tij

Therrje me thikë

Muhamet Juniku është dënuar me shtatë vite burgim pasi vitin e kaluar kishte therë tetë herë me thikë ish-bashkëshorten e tij.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, Juniku ngarkohet edhe me akuzën se veprën penale e kishte kryer në prezencën e fëmijëve të tij të mitur.

Sipas gjykatësit, në dënimin e shqiptuar të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, si dhe i është vazhduar paraburgimi.

Ndërsa, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Gjykata ka konfiskuar edhe thikën që është përdorur si mjet për kryerjen e veprës penale.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Muhamet Juniku me 31 mars 2021, në parkun e qytetit në Gjakovë me dashja ka tentuar ta privojë nga jeta të bashkëshorten e tij, R.J.

Sipas aktakuzës, Juniku këtë veprim e ka bërë për shkak të xhelozisë dhe ju afrohet viktimës duke e kapur për fyti ndërsa me dorën tjetër e nxjerr thikën duke e therrur tetë herë në prezencën e fëmijëve të moshës 4 dhe 2 vjeç.

Para se ta kryejë veprën penale, i akuzuari kishte bërtitur “Allahu Ekber”.

Viktima ishte therur në qafë, disa herë në gjoks, dhe në brinjë. Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentative”.

/Shqip.com