Lajme

SHSKUK-ja kërkon nga MSH-ja të shtojë numrin e infermierëve, shkak COVID-19

Qendra e COVID-19

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, të mërkurën mblodhi drejtorët e Spitaleve të Përgjithshme për shkak të shtimit të rasteve pozitive me Coronavirus.

Pas takimit që zhvilloi drejtori Krasniqi me drejtorët e Spitaleve të Përgjithshme, tha se qëllimi i këtij takimi ishte planifikimi për menaxhim të COVID-19 dhe analizën e kapaciteteve hapësinore por edhe të pajisjeve mbrojtëse.

Ai tha se sot edhe zyrtarisht do të bëjnë kërkesë në MSh për shtimin e numrit të infermierëve.

“Me tendencën e rritjes së rasteve epidemiologjike, ne si SHSKUK duhet të jemi të përgatitur se që kemi qenë gjithmonë për të përballuar ndonjë fluks më të madh të pacientëve. Tani për tani situata është e qetë numri i të shtrirëve në spitalet tonë dhe në QKUK sillet diku tek 40-të dhe ne kemi planet për menaxhim të pandemisë për rastet që do të kërkojnë spitalizim… Në nivel të SHSKUK-së ne do të vazhdojmë me ofrimin e shërbimeve në mënyrë të rregullt pasi numri i pacientëve të shtrirë në klinikat tona nuk është i madh dhe na lejon të vazhdojmë me shërbime normale”, tha Krasniqi.

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi

Dhjetëra Infermierëve të angazhuar me kontrata të përkohshme gjatë pandemisë u është ndërprerë marrëdhënia e punës nga data 15 qershor.

Nëpërmjet protestave ata kanë kërkuar vazhdimin e kontratave.

Nëse do të mbeten pa punë, ata kanë thënë se alternativë u mbetet braktisja e vendit.

Pas ankesave të këtyre të punësuarve të përkohshëm, Ministria e Shëndetësisë pati njoftuar se kontratat nuk ishin shkëputur, por kishin përfunduar dhe se nuk do të vazhdoheshin më./Shqip.com