Sport Shqiptar

Shqipëria zhvillon stërvitjen e dytë, Asani qetëson Sylvinhon – të mërkurën “beteja” me Kroacinë

Shqipëria ka vijuar sot me përgatitjet në kuadër të ndeshjes së të mërkurës në Hamburg ndaj Kroacisë, takim ky i vlefshëm për grupin B të Euro 2024. Kuqezinjtë kanë hedhur pas krahëve humbjen me Italinë, me trajnerin Silvinjo që ka kërkuar përqendrim maksimal në sfidën e radhës.

Mësohet se skuadra është stërvitur e plotë dhe se Jasir Asani do të jetë në dispozicion të ekipit, duke kaluar kështu problemin fizik në këmbën e majtë pas goditjes së marrë ndaj Italisë.

Një lajm i mirë ky, që qetëson disi teknikun, në prag të “betejës” vendimtare ndaj ekipit të Daliç. Shqipëria pritet të bëjë një ose dy ndryshime , në krahasim me atë që pamë në Dortmund, të shtunën e kaluar.

Për t’u theksuar fakti se kundërshtarët tanë të radhës nuk janë përballur asnjëherë me ne, as në ndeshje zyrtare, as në ndeshje miqësore. Takimi do të mbahet të mërkurën në Volksparkstadion dhe do të gjykohet nga Letexie.

/Shqip.com