Lajme

Shqipëria marrëveshje me Italinë për refugjatët, qendra e pritjes do jetë në Shëngjin

Refugjatët/Ilustrim

Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për frenimin e valës së emigrantëve në shtetin fqinj.

Lajmi u bë me dije gjatë një konference për shtyp mes kryeministres së Italisë Giorgia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama, një marrëveshja e cila sipas kryeministres italiane pasqyron miqësinë mes dy vendeve. Meloni tha se fenomeni nuk mund të trajtohet i vetëm dhe se gjëja më e mirë për të bërë ka qenë bashkëpunimi për pritjen e refugjatëve.

Marrëveshja sipas kryeministres italiane, konsiston në faktin se Shqipëria do të japë për përdorim dy struktura në territoin e saj dhe Italia do të operojë, me financat e saj.

Meloni deklaroi se në Shëngjin do të ngrihet një qendër për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë, dhe një tjetër strukturë do të ngrihet për akomodimin e tyre, deri sa të shqytrohen kërkesat për azil.

Fluksi mund të arrijë deri në 3000 refugjatë në muaj dhe deri në 36 mijë në vit dhe kjo qendër parashikohet që të jetë gati në pranverën e ardhshme.

‘‘Shqipëria do t’i japë Italisë mundësinë për të përdorur disa zona të territorit. Italia do të financojë dy struktura qendra për të menaxhuar emigrantët e paligjshëm. Këto struktura fillimisht do të presin deri në 3 mijë persona që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil. Fluksi vjetor mund të arrijë deri në 36 mijë persona, por jo në të njëjtën kohë. Pra 3000 në muaj. Këtu nuk përfshihen të miturit, gratë shtatzëna dhe grupeve të tjera vulnerable. Zonat do të kenë juridiksion italian. Në portin Shëngjinit do të jetë qendra e pritjes ku do të realizohet screenin, ndërsa në një zonë tjetër në brendësi do të realizohet një strukturë tjetër për procedurat e tjera. Shqipëria do të merret me kontrollin, observimin, me forcat e saja të policisë. Marrëveshjet të tjera do të ndjekin më pas në lidhje me këtë lloj bashkëpunimi. Kemi qëllim që të jetë operative pranverën e ardhshme. Kjo marrëveshje është më frymëmarrje evropiane.’- tha kryeministrja Italiane.

Në fjalën e tij Rama tha se kjo marrëveshje është mbështetje për Italinë e cila shumë vite më parë mikpriti shqiptarët që u larguan për një jetë të re.

“Ne nuk do ta bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së, me gjithë respektin, por ka një lidhje mes Shqipërisë e Italinë dhe Shqiptarët e italianët. Nuk besoj që do të jemi në gjëndje që në vitet që do të vijnë të paguajmë borxhin që kemi drejt Italisë popullit dhe institucioneve të Italisë për atë që kanë bërë për ne nga dita që kemi arritur në këtë anë të bregut të detit për të gjetur mbështetje. Në këtë rast do të thotë për të ndihmuar dhe menaxhuar një situatë që është e vështirë për Italinë. E vërteta është që nga gjeografia është kthyer në mallkim. Shqipëria ka një histori të mikriptjes. Është një vend ku mijëra italianë, kanë gjetur mbrojtje nga shqiptarët.’- tha Rama.

/Shqip.com