Shqipëria ia kthen borxhin Kosovës – stabilizohet elektroenergjetika

Kthimi i borxhit të energjisë elektrike nga Shqipëria tash e disa ditë me radhë, ka relaksuar goxha shumë zhvillimet energjetike në Kosovë, e veçmas ka krijuar njëfarë qetësie në mjediset dhe ambientet e termocentraleve të vendit dhe të mbarë sistemit elektroenergjetik të vendit.
Nga Shqipëria janë duke u marrë si kthim borxhi diku rreth 150 megavatë-orë energji elektrike, herë paksa më shumë, herë më pak. Kjo i bie që brenda 24 orësh sasia e energjisë elektrike nga Shqipëria, e dedikuar për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, do të shkojë edhe mbi 3 mijë e sa megavatë-orë. Kjo sasi ka bërë që KEK-u për të pasur më të sigurta termocentralet e vjetra gjatë periudhës së acartë, të dërgojë në një rifreskim teknik bllokun A3 të Kosovës A, i cili ka kapacitet në rrjet diku rreth 130 megavatë-orë.
Revizioni që në KEK po e quajnë “rifreskues’, sipas Skender Bucollit, zëdhënës në Korporatën Energjetike të Kosovës, do të zgjatë fare shkurt, përkatësisht vetëm disa ditë. Dhe të gjitha operacionet rreth rifreskimit të këtij kapaciteti tashmë të stërvjetëruar, po i kryejnë punëtorët dhe inxhinierët vendorë, shkruan Buletini Ekonomik.
Me fjalë të tjera, aktualisht në prodhim gjenden tri termocentrale të vendit (blloqet B1 dhe B2 të Kosovës B dhe blloku A4 i Kosovës A), të cilat prodhojnë diku 730-750 megavatë-orë energji elektrike së bashku.
/Shqip.com