Lajme

Shqipëria fton NATO-n për të ngritur një bazë në portin e Durrësit, Rama: Propozimi ka ngjallur shumë interes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Shqipëria i ka bërë një ftesë NATO-s që të instalojë një bazë navale ushtarake në Portin e ri të Durrësit, që do të ngrihet në Porto Romano.

Ai tha se një propozim i tillë ka ngjallur interes dhe dëshirë për t’i thelluar bisedimet.

“Së shpejti do të bëjmë takim të posaçëm për këtë çështje me të gjithë ekspertët, për të parashtruar projektin në detaje. NATO ka hyrë në një fazë të re të bashkëfinancimit edhe të projekteve të posaçme. Sa i përket portit, do të financojmë vetë pjesën tregtare, kemi ftuar NATO të marrë pjesë në bashkëfinancimin e pjesës ushtarake. Do të ketë vlerë të jashtëzakonshme strategjike për Shqipërinë dhe vetë NATO-n”, ka shtuar Rama.

Rama përsëriti edhe një herë kërkesën që bëri në Samitin e aleancës, për përfshirjen e Kosovës në mekanizmin e mbrojtjes, një stad pararendës i anëtarësimit.

“Pavarësisht mosnjohjes nga të gjithë vendet, kjo nuk është një kohë e zakonshme dhe si e tillë kërkon akte të jashtëzakonshme, në aspektin politik dhe të vendimmarrjes. Pavarësisht se Ukraina nuk e njeh, Kosova ka mbajtur një qëndrim absolutisht të qartë dhe të saktë, duke treguar maturi si shtet, në raport me detyrimet ndaj gjithë kësaj familjeje të madhe që Kosova e ka të lidhur pazgjidhshmërisht fatin e saj”, tha Rama. 

Rama ka thënë se në Samit ka kërkuar që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Ai ka thënë se është e udhës që NATO të kuptojë që nuk është një kohë e zakonshme, dhe në këtë kohë të jashtëzakonshme duhet të merren edhe veprime të jashtëzakonshme në aspektin politik dhe të vendimmarrjes./SHQIP.com