Lajme

Shqipëria dhuron një milionë euro për të prekurit nga tërmeti në Turqi

Shqipëria ka dhuruar 1 milion euro për të prekurit nga tërmeti në Turqi.

Kryeministri Edi Rama telefonoi live gjatë fushatës “Turqia një zemër” që u transmetua njëherësh në disa kanale televizive të Turqisë, ku shprehu ngushëllimet për jetët e humbura nga tërmeti tragjik i pak ditëve më parë.

Teksa bëri me dije shifrën, kryeministri theksoi se nuk ka harruar se çfarë bëri Turqia dhe Erdogan për tërmetin e 2019-ës.

“Ne dërguam ekipet tona të ndihmës për të ndihmuar sa mundëm. Ne e dimë se jemi një vend i vogël. Nuk kemi harruar atë që Turqia dhe Erdogan bëri për ne në tërmetin e 2019”, tha Rama.

Rama ka thënë se kjo shifër nuk është shumë për është gjithçka që mund të bëjnë.

“Ne bëmë maksimumin për të mbështetur popullin turk. Falë përpjekjeve fantastike të Turqisë, jam i sigurt se gjithçka do të jetë e suksesshme. Ne po dhurojmë 1 milion euro në emër të popullit shqiptar. E di që nuk është shumë, duhet shumë më tepër. Kjo është gjithçka që mund të bëjmë tani”.

“Shqipëria mund të jetë vend i vogël, por ka zemër të madhe. Faleminderit që na u bashkuat.“, shtoi moderatori në studio, raporton Abcnews.al.

Shqipëria shpalli të hënën një ditë zie kombëtare për tërmetet shkatërruese të javës së kaluar në Turqi dhe Siri. Flamujt në institucionet shtetërore u ulën në gjysmë shtizë. Shqipëria ishte ndër vendet e para që i dha mbështetjen e saj Turqisë pas tërmeteve të 6 shkurtit.

/Shqip.com