Lajme

Shqipëria dhe Spanja nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Shqipëria dhe Spanja nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi për arritjen e një koordinimi sa më të mirë të punës për çështjet e integrimit evropian.

Ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka priti në një takim homologun spanjoll, Jose Manuel Albares Bueno, vizita e të cilit i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, Xhaçka vlerësoi se kjo vizitë është provë e vëmendjes së posaçme që Spanja po i kushton vendit tonë dhe rajonit.

“Kjo është vizita e parë e një Ministri të Jashtëm spanjoll në Shqipëri pas shumë vitesh, çka në vetvete përbën një ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet mes vendeve tona. Por ajo që e bën këtë vizitë akoma më domethënëse është momenti në të cilin ndodhemi, pasi siç e dini, kjo vizitë i paraprin marrjes së Presidencës së BE nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit”, tha ministrja.

Ministrja theksoi se “ne ndajmë të njëjtin mendim që zgjerimi nuk është thjesht e nuk duhet të jetë thjesht një instrument i BE, por është vetë esenca Unionit, ndaj dhe çdo vend i Evropës duhet të aspirojë për t’u bërë pjesë e tij”.

Gjithashtu, Ministrja u shpreh se “për qëllimet e zbatimit të këtij memorandumi do të përdoren edhe programet e binjakëzimit (TWINNING), të instrumentit të Asistencës Teknike e Shkëmbimit të Informacionit (TAIEX) (për asistencë teknike afatshkurtër), si dhe programet e Fondit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor”.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe dimensioni mesdhetar i politikave tona të jashtme. Shqipëria është një vend mesdhetar dhe anëtar i Unionit për Mesdheun dhe për këtë arsye mirëpret prioritetet e politikës së jashtme të Spanjës në këtë rajon, ku çështjet euro-mesdhetare do të jenë dhe në qendër të axhendës së Presidencës spanjolle të Këshillit, me argumentin se stabiliteti dhe prosperiteti i tij prek drejtpërdrejt Spanjën dhe mbarë Bashkimin Evropian.

/Shqip.com