Shqipëria dhe Kosova me pavijon të përbashkët në European Film Market
Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) dhe Qendra Kinematografike e Kosovës përfaqësohen me një pavijon të përbashkët, në edicionin e 74 të European Film Market (EFM) i cili zhvillohet gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale) në datat 15-21 Shkurt 2024.
Në këtë festival është pjesëmarrës në kategorinë Panorama, një film i regjisores Birgitte Stærmose, bashkëprodhim danez-kosovar-suedez-finlandez, i titulluar “Afterwar” e që ngre pyetjen se si është të rritesh në një shoqëri të pas luftës.
European Film Market është ndër 3 marketet kryesore të takimit të industrisë ndërkombëtare të filmit dhe medias. Lidhja e ngushtë me Berlinalen si një festival filmi publik dhe pozicionimi i tij në zemër të Berlinit janë karakteristikat përcaktuese të këtij marketi, i cili e ka pozicionuar veten edhe si një platformë për inovacion e ndryshim.
Gjatë këtyre ditëve në pavionin e përbashkët, Nr. 138, i cili gjendet në Hotel Marriott, Potsdamer Platz, krahas promovimit të kinematogtrafisë se dy vendeve, do zhvillohen edhe takime të ndryshme me fonde filmi, partneritete ndërkombëtare, organizues festivalesh, prodhues e distributorë nga e gjithë bota. Ky pavion do të ketë edhe kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës Inovacionit të Shqipërisë.
Për industrinë e filmit, festivali është një qendër e domosdoshme rrjetëzimi dhe tregtim. Në vitet e fundit, Berlinale ka përshtatur dhe zgjeruar programin e tij për të përfshirë elementë të reja si realiteti virtual dhe filmat e pavarur. /atsh
/Shqip.com