Lajme

Shqipëri: Muhamet Rrumbullaku emërohet drejtor i Policisë së Shtetit

Të mërkurën, Muhamet Rrumbullaku është emëruar drejtor i Policisë së Shtetit në Shqipëri.

Këtë gjë e ka bërë të ditur ministri i brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi.

“Rrumbullaku mban gradën e drejtuesit të parë në piramidën e policisë së shtetit dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit”, tha Çuçi, raporton abcnews.al.

Muhamet Rrumbullaku ka një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit, ku për shumë vite ka qenë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë për Rendin dhe Sigurinë Publike 2009-2013, ndërsa më parë ka qenë drejtor i Policisë së Tiranës dhe në disa qarqe të tjera.

Gjatë qeverisë teknike të vitit 2017 , Rrumbullaku u emërua për disa muaj, këshilltar i Ministrit të Brendshëm Dritan Demiraj.

Aktualisht Rrumbullaku është jashtë organizatës të Policisë, por mban gradën drejtuesi i parë.

Ai është diplomuar “Specialist i Lartë Policie” në vitin 1988 pranë Akademisë së Policisë, në Fakuletin e Drejtësisë Tiranë dhe ka marrë titullin Jurist në vitin 2010./Shqip.com