Lajme

Shqetësuese, sivjet rreth 60 policë dhanë dorëheqje

Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarët policorë të Kosovës për shkak të pakënaqësive disa protestuan e disa vendosën që të largohen krejtësisht nga ky institucion.

Nga janari e deri në nëntor të këtij viti, dhjetëra pjesëtarë të këtij institucioni të sigurisë kanë dhënë dorëheqje.

“Deri më tani kemi deri diku rreth 60 dorëheqje vullnetare dhe me paralajmërime që nëse nuk lëvizet diçka në këtë drejtim mund të ketë edhe dorëheqje të tjera”, ka thënë Imer Zeqiri – Kryetar i Sindikatës së Policisë.

E, në mesin e arsyeve që çuan deri te këto dorëheqje, kryeson dëshpërimi me Ligjin e Pagave.

“Kryesisht dorëheqjet e këtij viti janë me pakënaqësi të cilat rrodhën edhe nga ligji pagave por edhe për shkak të kushteve të tjera. Sepse ne jemi një polici që nuk kemi sigurim shëndetësor dhe jetësor me vite të tëra”, ka shtuar Imer Zeqiri – Kryetar i Sindikatës së Policisë, raporton Dukagjini.

Shqetësuese këtë situatë nuk e sheh ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Hajrullah Ternava.

Ai thotë se dorëheqje mund të ketë edhe pas rritjes së pagave.

“Ne kemi ditë për ditë që njësitë policore po i lëshojnë polic të ndryshëm sepse është në pyetje çështja materiale dhe dikush mendon që me shkuar jashtë pasurohet. Edhe nesër nëse rritet rroga e elitarëve prapë dikush nga ta mund ta lëshojë, sepse gjithkush i këqyrë llogaritë e tija”, ka deklaruar Hajrullah Ternava – Ish-zëvendësministër i brendshëm.

Nga ata efektiv policor që protestuan para Qeverisë së Kosovës të cilët kundërshtuan propozimin e Qeverisë për shtesën për rrezikshmërinë nuk është dhënë ndonjë njoftim se dikush nga ta ka dhënë dorëheqje.

/Shqip.com