Lajme Ballkan

Shqetësime mbi transparencën e biznesit në Ballkan të Tony dhe Cherie Blair

Kompania ligjore e Cherie Blair ka marrë qindramijëra euro duke përfaqësuar qeveritë në Shqipëri dhe Serbi, vende që gjithashtu janë këshilluar nga Tony Blair.

Vila 30 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë ka një të shkuar të errët si vendi ku ish-kryeministri komunist shqiptar Mehmet Shehu – përballur me rrezikun e arrestimit dhe burgosjes – vrau veten.

Sot, si rikujtesë, në oborrin e vilës nën pronësi të qeverisë gjenden statujat e Leninit dhe Stalinit si dhe një Zis 69, një automjet që ishte i parapëlqyeri i policisë sekrete të kohës së Komunizmit “Sigurimi” për arrestimet në mes të natës.

Gjithkush sot mund të vrasë mendjen se çfarë mendoi Tony Blair, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, kur pa këtë dekor ndërsa u mikprit nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama më 19 prill të vitit të kaluar.

Pak gjë u komunikua në publik mbi takimin. Gjithsesi, dy muaj më vonë, Instituti Tony Blair për Ndryshim Global, TBI, publikoi një ofertë pune për këshillar në Tiranë, në mbështetje të përmirësimit të shërbimeve të qeverisë shqiptare përmes aplikimit të teknologjisë dhe novacionit.

Tre muaj më vonë, në shtator 2022, TBI shpalli një vend tjetër të lirë pune – për një këshilltar të lartë për kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Shqipërisë.

Kjo nuk është hera e parë që Blair, i cili la zyrën në vitin 2007, ka punuar me Ramën. Kur socialistët erdhën në pushtet më 2013, Blair u punësua si këshilltar.

Se çfarë nënkupton një punë e tillë, kjo është e paqartë, për shkak se kontratat nuk janë të disponueshme për publikun. Por, si qeveria shqiptare ashtu edhe Blair thonë se shërbimi vjen falas.

Gjithsesi, ish-kryeministri britanik nuk është i vetmi Blair që punoi për qeverinë shqiptare. Përgjatë të njëjtës periudhë, një kompani ligjore e drejtuar nga bashkëshortja e tij Cherie, mori qindramijëra euro nga qeveria për shërbime të dhëna. Një përkim i tillë vërehet se ka ndodhur edhe në Serbi.

Ekspertë vendës thonë se kjo, dhe mungesa e transparencës në lidhje me kontratat me TBI, duhet të bëjnë që të bien këmbanat e alarmit.

Në rastin e Shqipërisë “kjo e vë z. Rama dhe z. Blair në një marrëdhënie klienteliste,” thotë Rigels Xhemollari, një aktivist anti-korrupsion dhe drejtor ekzekutiv i Qëndresës Qytetare, një organizatë me bazë në Tiranë.

TBI dhe Omnia Strategy, kompania e Cherie Blair, e cila ofron shërbime të specializuara në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe arbitrim, mohuan të kenë konflikt interesi.

Qeveria e Shqipërisë nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Punët fitimprirëse të arbitrazhit të Omnias

Blair themeloi TBI më 2016, duke ofruar shërbime konsulence për qeveritë në mënyrë që të “ndihmojë udhëheqësit politikë që të ndërtojnë shoqëri të hapura, gjithëpërfshirëse dhe me mirëqenie në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur,” sipas faqes së saj të internetit. Në vitin 2021, ajo kishte 437 të punësuar, zyra qendrore në Londër dhe tre qendra ndërkombëtare në Akra, Singapor dhe San Francisko.

Një ogranizatë jofitimprurëse, instituti realizoi një xhiro prej 81 milionë paundësh më 2021. Shumica e punës financohet nga fondacione private, të cilat, deri prillin e kaluar, përfshinin Këshillin Evropian për Tolerancë dhe Ripajtim, ECTR, themeluar nga miliarderi rus Moshe Kantor. TBI i ndërpreu marrëdhëniet me ECRT, pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, kur Kantor u vendos nën sanksione në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të lidhjeve të tij me Kremlinin.

Më herët, më 2020, Blair u përfol si një ndërmjetës potencial mes Serbisë dhe Kosovës për një marrëveshje të braktisur për shkëmbime territoresh dhe sqarim marrëdhëniesh mes tyre.

John Bolton, ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare për ish-presidentin Donald Trump, i tha BIRN në një intervistë se Blair, i cili ishte në pushtet më 1999 kur Britania mori pjesë në bombardimet ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur gjatë luftës në Kosovë – kishte ofruar të shërbente si “ndërmjetës informal” mes të dy palëve. Rama u raportua në atë kohë të ishte mbështetës në marrëveshjen për shkëmbim territoresh, një pretendim që ai e mohoi me forcë.

Puna e fundit e Blair në Shqipëri përkoi edhe me atë të bashkëshortes: të dhënat e Thesarit të Shqipërisë, të para nga BIRN, tregojnë se ministria e financave e vendit bëri tre pagesa te Omnia Strategy mes 13 dhe 19 shtatorit 2022, për një total prej 418 mijë eurosh.

Të dhënat nuk specifikojnë se për çfarë u bënë këto pagesa ndërsa Omnia Strategy konfirmoi se i ka marrë paratë, pa dhënë shpjegime se për çfarë. Kompania ligjore me bazë në Londër ka përfaqësuar më herët Shqipërinë në një numër çështjesh arbitrazhi para gjykatave ndërkombëtare.

E para, më 2012, pa Omnia Strategy duke përfaqësuar Shqipërinë në një mosmarrëveshje me një kompani me bazë në Amerikë, me një faturë shërbimesh ligjore me vlerë 300 mijë euro, raporton Reporter.al

/Shqip.com