Lajme

Shpërthim te Kroi i Vitakut në Mitrovicë

Derisa ekipi i RTK-së po qëndronte në lagjen “Kroi i Vitakut”, është dëgjuar një shpërthim. Nuk dihet nëse ishte bombë çorientuese apo mjete piroteknike.

Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, që tash e 11 ditë po kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë në këtë lagje, menjëherë kanë filluar të kryejnë kërkime, se nga cila shtëpi është hedhur ky mjet shpërthyes.

Ndërsa, përveç Policisë së Kosovës, monitorimi i situatës në veri po bëhet edhe nga ajri, raporton RTK.

Sot u bënë njëmbëdhjetë ditë që nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës.

Barrikadat janë vendosur që nga 10 dhjetori si kundërpërgjigje ndaj autoriteteve kosovare pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq i cili është i dyshuar për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Në këtë gjendje gjeopolitike të Kosovës, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë qenë në Kosovë e Beograd ku ka zhvilluar takime me krerët e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat në veri.

Në një prononcim për media, Kurti ka thënë se KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej Kosovës lidhur me çështjen në veri.

“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, në komunikim të rregullt të vazhdueshëm, intensiv me KFOR-i dhe padyshim që nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni se ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi, është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë:”, tha Kurti.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se barrikadat e vendosur në veri të vendit duhet të largohet para krishtlindjeve.

/Shqip.com