Lajme

Shpallet fajtor për marrje ryshfeti ish-drejtori i Administratës dhe Financave në KPM

Arben Bilalli është shpallur fajtorë nën akuzat se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej tetë mijë eurove në cilësinë e drejtorit te Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur për Media nga drejtori i kompanisë “Tel Kos”, Elhami Haziri.

Siç raporton Tëvë1, Bilalli këtë vepër akuzohet se e kishte kryer së bashku me Luan Latifin në cilësinë e kryeshefit të KPM-së.

Në seancën përfundimtare të mbajtur të enjten, Prokurorja Merrushe LLugiqi, kërkoi që Billalli të shpallet fajtor.

“Ne veprimet e tij, ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale, marrja e ryshfetit. Këtë vepër penale i pandehuri, A.B e ka kryer me dashje, duke qenë i vetëdijshëm për pasojat dhe duke pasur për qëllim që vetit t’i sjellë pasuri. Andaj prokuroria mbetet pranë aktakuzës dhe i propozon Gjykatës të njëjtin ta shpall fajtor, dhe t’i shqiptohet dënimin si në aktakuzë”, tha ajo.

Arben Billalli gjatë seancës ka pranuar fajësinë.

Kurse, avokati i Billallit Florent Latifaj, kërkoi që ndaj klientit të tij të kihet parasysh rrethanat lehtësuese të dënimit.

Ilustrim

“I njëjti ka qenë bashkëpunues me organet, duke pranuar të gjitha veprimet e tij, si dhe inkriminim e tij në veprën penale. Të gjitha këto rrethana të parapara me nenin 70 paragrafin 3, të cilat me doemos ndikojnë në zbutjen e dënimit, e në rastin konkret kur kemi për bazë edhe faktin se nuk ka të kaluar kriminale dhe nuk zhvillohet ndonjë procedurë penale kundër tij, si dhe faktin se i njëjti kësaj Gjykate i ka dorëzuar një dokumentacion voluminoz për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore dhe rekomandimet e mjekëve, dënimi të ulet nën minimumin ligjor, duke aplikuar dispozitat e zbutjes së dënimit”, tha ai.

Naim Rudari, avokati i Hazirit, tha se nga veprimet e të pandehurit, kompanisë “Tel Kos” i janë shkaktuar dëme të mëdha

“Po ashtu si rrethanë rënduese, mosha e kryerjes së veprës penale, që është mosha e pjekurisë, si dhe shkallën e dënimit të shkaktuar te pala e dëmtuar, kompania Telkos, si shpërndarës së rrjetit me internet dhe TV, ka pësuar humbje të madhe kur përnjëherë i kanë ndërprerë sinjalin disa televizione dhe më pas janë obliguar të vrapojnë pas obstruksioneve të parashtruara nga kryeshefi i KPM-së, dhe drejtori tani i akuzuar. Me këtë rast kërkojmë që të njëjtit t’i shqiptojnë dënimin sipas politikës ndëshkimore të paraparë me ligj”, ka thënë avokati Rudari.

Ndërsa, Luan Latifi, ish-kryeshef i Komisionit të Pavarur për Media(KPM), është deklaruar i pafajshëm në seancën e kaluar. Seanca ndaj tij do të mbahet në muajin tetor.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkon Latifin dhe Bilallin se gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Tel Kos”.

Në aktakuzë thuhet se ky ryshfet ishte pranuar nga ana e të akuzuarve me qëllim që kompanisë “Tel Kos”, të mos i shqiptohet gjobë për shkak se e njëjta kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk e kishte njoftuar KPM-në.

Sipas aktakuzës, Bilalli më 24 qershor 2021, ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke iu thënë se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Por, pasi i dëmtuari Haziri i kishte thënë që nuk e kishte kërkuar këtë shumë, të njëjtit kishin arritur të merren vesh që për fillim të japin 10 mijë euro, ku në atë moment sipas prokurorisë, i akuzuari Bilalli i kishte shkruar të akuzuari Latifi “nuk po lëshon veç 10”.

Sipas prokurorisë, të dy ishin takuar në restorant “Garden”, në Gjilan, dhe pasi i dëmtuari Haziri i kishte dhënë 8 mijë euro, kishte kërkuar nga i akuzuari Bilalli të kontaktojë të akuzuarin Latifi për tu bindur se ky i fundit e kishte marrë vesh se paratë janë dhënë.

Pas kësaj, prokuroria po pretendon se duke u zbatuar masat e fshehta dhe nën vëzhgim të policisë, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri i kishte telefonuar të akuzuarit Latifi duke i thënë “kreva punë dhe tash po eci”.

Bilalli shumën prej 8 mijë euro e kishte pranuar në një zarf dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës, ku rrugës ishte ndaluar nga policia të cilët ja kishin gjetur paratë dhe ja kishin sekuestruar.

Personat e apostrofuar janë të pafajshem deri në një vendim te formës së prerë nga Gjykata e Kosoves./Shqip.com