Lajme

Shoqëria civile kërkon që përzgjedhja e Kryeprokurorit të kthehet në pikën zero

Koalicioni i Organizatave joqeveritare, Fol, IKD DHE GLPS kanë kërkuar që procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohet ngase asnjëri nga kandidatët nuk ka treguar shkathtësi për këtë pozitë.

Në publikimin e raportit me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit konstatohet se procesi ka dështuar dhe si i tillë duhet të kthehet në pikën zero.

Gjatë monitorimit të këtij procesi, ata thonë se kanë parë një trajtim jo të barabartë që iu është bërë kandidatëve.

Gëzim Shala nga IKD, ka thënë se koalicioni ka gjetur se ky proces nuk ka dizajnim adekuat.

Tutje, ai ka thënë se nëse Këshilli Prokurorial nuk e anulon procesin atëherë këtë proces munde ta anulojë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Disa nga kandidatët e  kanë pasur një lloj vështirësie për të dalluar kompetencat ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial. Gjatë monitorimit kemi parë një trajtim jo të barabartë që iu është bërë kandidatëve. Për Blerim Isufaj ka pasur preferencë edhe gjatë intervistës. Nëse kërkohet rishpallja e konkursit procesi kthehet në pikën zero. Këshilli në bazë të ligjit duhet ta caktojë ushtruesin e detyrës.  Nëse Këshilli nuk merr rekomandim për të kthyer në pikën zero edhe presidentja duhet ta marrë në konsideratë këtë vendim”, tha Shala.

Rreze Hoxha nga GLPS, ka kërkuar që komisioni vlerësues ta publikojë vlerësimin për secilin kandidat dhe të anulohet komplet ky proces.

“Koalicioni rekomandon që komisioni të publikojë vlerësimin për secilin kandidat dhe të anulohet komplet përzgjedhja për shkak të shkeljes procedurale. Dhe koalicioni rekomandon të shpallet konkursi i ri. Pyetjet duhet të orientohet më shumë rreth pozitës së Kryeprokurorit. Ne rekomandojmë që intervista të jetë e strukturuar sepse kemi parë qasje jo të barabartë te kandidatët”, tha ajo. /Shqip.com