Lajme

Shoqëria civile kërkon nga Qeveria të formojë Ministrinë e Familjes

Shoqëria civile kërkon nga Qeveria e Kosovës të formojë Ministri të Familjes, në të cilën do t’i kushtohet kujdes më i madh grave të papuna që kujdesen për fëmijët, kujdesi ndaj të moshuarave e personave me aftësi të veçanta.

Derisa thonë se kjo praktike përdoret në shtetet e zhvilluara, ata shtojnë se Ministria e Familjes do të ndihmonte në politika edhe për rritjen e natalitetit.

Kryetari i Lëvizjes qytetare “Demokracia konservatore”, Abdullah Klinaku, tha se marrëparasysh vështirësitë që po kalojnë familjet në Kosovë, Ministria e Familjes do të hartonte politike për një jetesë të dinjitetshme, raporton KP.

Sipas tij, një propozim konkret është subvencionimi i nënave të papuna të cilat kujdesen për fëmijët.

Derisa rendit argumentet pse duhet të formohet Ministria e Familjes, Klinaku shton se praktika të tilla përdorin vende të ndryshme të botës.

Sipas tij, subvencionimi i grave që vendosin të kujdesen për fëmijët do të ndihmonte edhe në rritjen e natalitetit në Kosovë.

Klinaku tha se idenë e formimit të këtij dikasteri e kanë shtruar edhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës të partive të ndryshme, megjithëse ai pret që kjo ide të mbështetet më shumë nga partitë e djathta.

Edhe Besa Luzha, profesoreshë dhe aktiviste për të drejta të njeriut, konsideron se formimi i Ministrisë së Familjes do të ndihmonte që të vlerësohej përmes subvencionimit edhe gratë që kujdesen për fëmijët.

Mes tjerash, Luzha vlerëson se shuma e subvencionimit të gruas që kujdeset për fëmijët duhet të jetë në lartësinë e pagës minimale.

Formimi i Ministrisë së Familjes është i nevojshëm edhe në sytë e ekonomistit Mustafë Kadriaj, që thotë se mund të ndikojë në rritjen e natalitetit.

/Shqip.com