Lajme

Shoqata Sindikale e Administratës së GJTHP-së do t’i ndjekë rrugët ligjore për koeficientin e pagave

Gjykata Themelore në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë

Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shprehur shqetësim për pagat e muajit shkurt të cilat janë transferuar nga Qeveria e Kosovës.

Përmes një komunikate për medie, kjo Shoqatë shpreh shqetësimin duke thënë se me Ligjin e ri të Pagave, shumë punonjësve të administratës iu është ulur paga.

“Shoqata Sindikale e kësaj gjykate është duke përcjellë dhe analizuar situatën me paga për punëtorët e administratës së gjykatave dhe shpreh shqetësimet e saja lidhur me klasifikimet dhe gradimet sipas koeficienteve të përcaktuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Financave dhe Transfereve, pasi shumë pozita të punësuarve në administratat e gjykatave kanë pësuar degradim në pozita për koeficienta si dhe ulje të pagave në disa pozita”, thuhet në njoftim.

Sindikata ka kërkuar nga institucionet që t’i rishikojnë gradimet dhe koeficientë e përcaktuar.

“Sindikata në vazhdim do i ndërmerr gjitha veprimet ligjore duke kërkuar nga institucionet relevante për ti rishikuar gradimet dhe koeficientat e përcaktuar sepse jo që nuk kemi arritur paga të dinjitetshme siç pretendon Qeveria e Kosovës, po kemi pësuar ulje pagave në disa pozita”.

Lidhur me Ligjin e ri të pagave dhe koeficientin e tij, tashmë janë dërguar shumë ankesa tek Institucioni i Avokatit të Popullit.

/Shqip.com