Lajme

Kërkohet heqja e licencës së punës ndaj infermieres që abuzoi fizikisht të moshuarën në Pejë

Rasti i dhunës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë, ka prekur ndërgjegjen e opinionit publik. Në një video më pak se një minutëshe, transmetohen pamjet e goditjeve të vazhdueshme ndaj një të moshuare nga infermierja abuzive.

Lidhur me këtë, për Shqip.com, ka folur Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës.

Ai ka thënë se punëtorës abuzuese duhet t’i hiçet licenca e punës dhe se kjo as që duhet të diskutohet.

“Çështja e licencës nuk duhet të diskutohet, ajo kurrë nuk duhet me e pa me sy më profesionin human. Dënimi ndaj saj duhet të jetë maksimal sepse është shfrytëzim përtej logjikës i pozitës së punës”, tha Kodra.

Për më tepër sipas Kodrës, abuzuesja nuk e meriton të jetë në shërbim të qytetarëve dhe se lajm i mirë është arrestimi i saj.

“Padyshim ajo që më erdhi mirë është që është arrestuar, pasi e ka goditë një të pambrojtur, një të moshuar, një person që nuk është agresiv pa asnjë arsye, ajo se meriton me punu me njerëz që kanë nevojë”, tha për Shqip.com, Besim Kodra.

/Shqip.com