Shoqata e Ndërtimtarëve i reagon Kurtit: Mos hedh baltë mbi djersën tonë

Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pas deklaratës së tij se “shpëlarja e parave ndodh përmes mafisë së ndërtimit”.
E nga kjo shoqatë i kanë bërë thirrje Kurtit që “të mos hedhë baltë” mbi sektorin ekonomik dhe djersën e tyre, shkruan Shqip.com.
“Shoqata, i bën thirrje kryeministrit që të mos e njollosë sektorin më të madh ekonomik në Kosovë, ndërmarrësit dhe as punëtorët të cilët me djersën e tyre tullë pas tulle ndërtojnë këtë vend dhe të ardhmen tonë”, shkruhet në reagimin e Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës të publikuar në “Facebook” nga Faton Hoxha.
Ata kanë kërkuar nga Kurti që nëse ka fakte për deklaratat e tij, atëherë t’ia ofrojë drejtësisë dhe të fillojnë hetimet.
“I bëjmë thirrje po ashtu të gjithë subjekteve të përfshira në zgjedhje që të mos e përdorin emrin tonë për përfitime zgjedhore sepse ne jemi këtu dhe do të jemi edhe në të ardhmen pavarësisht ndërrimit të pushteteve”, thuhet në reagim.

Gjatë një tubimi të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, në përkrahje të kandidatit për kryetar të kryeqytetit Arben Vitia, i pranishëm ka qenë kryeministri Albin Kurti i cili ndër tjerash tha se “Prishtina është kantier i shpëlarjes së parave të mafias ndërtimore”.
“…Prishtina është kantieri kryesor i shpëlarjes së parave të mafias ndërtimore dhe ata e dinë që ky (Arben Vitia) nuk lëshon pe, duket i butë, por s’mund ta thyesh”, kishte deklaruar Kurti./Shqip.com