Lajme

Shmangu kontrollin e një automjeti që po transportonte armë, arrestohet punonjësi i policisë në Portin e Durrësit

Agjensia e Mbikqyrjes Policore (AMP), ka arrestuar një punonjës të Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Bëhet me dije se AMP në bashkëpunim me Prokurorinë e Jurisdiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë arrestuar punonjësin e policisë në Portin e Durrësit.

Në lidhje me këtë operacion ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili shkruan se vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit.

“Vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit. Falë hetimit të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Jurisdiksionit të Përgjithshëm Durrës është arrestuar një punonjës i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.

Bashkëpunimi edhe më i ngushtë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Posaçme, sa i përket shkëmbimit të informacioneve lidhur me përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë në veprimtari të paligjshme, do të kontribojë ndjeshëm në realizimin me sukses të procesit të vetëpastrimit dhe, mbi të gjitha, në rritjen e llogaridhënies dhe të besueshmërisë së organizatës së Policisë së Shtetit, si institucion kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend, ku besimi dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera dhe publikun përbëjnë kusht themelor”, shkruan Balla në postimin e tij.

/Shqip.com