Rozë

Shkumbin Istrefi: Janë dhënë plot parcela për shfrytëzim 99 vjeçar në Kosovë, nuk besoj që kërkesa e Sunny Hill është e para e këtij lloji

Që nga dita e djeshme kudo në rrjetet sociale po përflitet për ngjarjen kulturore në vend “Sunny Hill”, e cila këtë vit nuk do të mbahet në Prishtinë.

Ditën e djeshme (e martë) u njoftua se ky festival për edicionin e tretë do të zhvendoset në Tiranë.

Lajmin e bëri të ditur vet organizatori i festivalit, Dugagjin Lipa, ndryshe babai i këngëtares shqiptare Dua Lipa.

Organizatorët fajësuan institucionet e shtetit për dështimin e organizimit në Kosovë. Tutje, u tha se zhvendosja në Tiranë është bërë për shkak të vonesave për përgjigje nga autoritetet për dhënien e lejes së pronës për shfrytëzim.

Lidhur me këtë që nga dje ka pasur reagime të shumta nga fytyra të njohur për publikun.

Së fundmi ka reaguar  edhe aktori e producenti i njohur shqiptar, Shkumbin Istrefi.

Ky i fundit tha se “Sunny Hill” nuk është i vetmi që ka kërkuar tokën për shfrytëzim 99 vjeçar.

“A e dini sa toka/parcela në Kosovë janë dhënë për shfrytëzim 99 vjeçar deri tash? Sa di unë (e sigurisht ka edhe më shumë) janë Parku i Biznesit në Drenas, edhe plot disa të tjera nga Komuna e Lipjanit”, u shpreh Istrefi.

“Sigurisht ka edhe në komuna të tjera. Pra nuk besoj që kërkesa e Sunny Hill është kërkesa e parë e këtij lloji. Benefitet e shtetit, financiare dhe jo financiare duhet të kalkulohen në këso raste”, vazhdoi ai.

Pëndryshe, “Sunny Hill” ndryshe prej viteve tjera që mbahej në Gërmi këtë vit ishte paraparë të mbahej në Bërnicë të Poshtme./Shqip.com