Kulturë

Shkrimtari Çapaliku: Ç’punë kanë politikanët me panairin e librit?!

Panairi i librit ishte tema e bisedës në studion e emisionit “Open” në News24. Shkrimtari dhe dramaturgu i njohur Stefan Çapaliku deklaroi se problemi krucial i çdo panairi është mungesa e shifrave.

Sipas tij, Shqipëria nuk ka shifra për botimet dhe leximin. Ai theksoi se institucionet në vend që të dalin për të bërë poza, duhet të monitorojnë situatën, duhet të publikojnë shifra, siç publikon shifra çdo vend i qytetëruar.

Ai u shpreh dhe kundër hapjes së panairit nga politikanët. “Unë jam personi që kam kontribuuar në themelimin e panairit të parë shqiptar në 1998. Ne kemi bërë edicionin e parë të panairit së bashku me Virgjil Muçin, Aurel Plasarin dhe me disa persona të tjerë të rëndësishëm të asaj kohe të ministrisë së Kulturës dhe përtej. Prej atij momenti e kam ndjekur në mënyrë sistematike të 25 edicionet dhe jam përpjekur ta vëzhgoj nga të gjitha pikëpamjet”, ka thënë tutje ai.

Ai shprehet i mllefosur me disa figura politikanësh. “Çfarë nuk më pëlqen mua, hapet panairi me disa figura politikanësh. A ka mundësi të kemi një panair njëherë pa ata njerëz. Të kemi një panair ku janë disa shkrimtarë, disa përkthyes. Po ç’punë ka ministrja e arsimit, e kulturës, kryetari i bashkisë. Ça janë këta njerëz? Si s’munden këta njerëz të rrinë një ditë pa dalë në një kamerë”, ka thënë mes tjerash shkrimtari Çapaliku.

/Shqip.com