Lajme Botë

Disa nga shkrepjet më të mira më 2023 nga fotografët e REL-it nëpër botë

Nga lufta në Ukrainë, protestat në Kosovë e deri te dëbimi i detyrueshëm i qindra mijëra shtetasve afganë nga Pakistani, këtu u kemi hedhur një vështrim prapa disa prej imazheve më të fuqishme të shkrepura në vitin 2023 nga fotografët e Radios Evropa e Lirë.

Ekipet e shpëtimit duke kërkuar nëpër rrënojat e një ndërtese banimi në Dnipro, Ukrainë, pas një sulmi shkatërrues rus me raketa më 14 janar. (Yulia Ratsybarska, Shërbimi ukrainas i REL-it)
Ushtarët ukrainas kalojnë pranë një makine të djegur të goditur nga një dron kamikaz jashtë qytetit të vijës së parë të Avdijivkas mes sulmeve të Rusisë në Ukrainë, në rajonin e Donjeckut, më 8 nëntor. (Serhiy Nuzhnenko, Shërbimi ukrainas i REL-it)
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës rrethojnë objektin e komunës në Zveçan më 29 maj. Serbët e Kosovës kundërshtuan vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, të dalë nga zgjedhjet lokale që serbët i bojkotuan. (Arben Hoti, Byroja në Prishtinë e REL-it)

Një pamje dimri e Gorisit në shkurt. Më vonë gjatë vitit, qyteti jugor armen u bë vend strehimi kur dhjetëra mijëra armenë etnikë u larguan nga Nagorno-Karabaku pasi Azerbajxhani nisi një sulm në rajon, më 19 shtator. (Amos Chapple, Redaksia Qendrore e REL-it)

Një ushtarak ukrainas qëllon me një obus vetëlëvizës 2S22 Bohdana, drejt pozicioneve ruse në rajonin e Donjeckut në shtator. (Serhiy Nuzhnenko, Shërbimi ukrainas i REL-it) ​
Ushtarët ukrainas më 25 shkurt duke luftuar për ta mbajtur qytetin e sulmuar të Bahmutit në rajonin e Donjeckut. Pas muajsh lufte rraskapitëse, qyteti u pushtua nga forcat ruse në maj. (Serhiy Nuzhnenko, Shërbimi ukrainas i REL-it)
Tubim në Almaty, Kazakistan, më 5 janar, në njëvjetorin e goditjes vdekjeprurëse të qeverisë, ‘Janari i përgjakshëm’. Mbi 230 njerëz u vranë kur presidenti Toqaev dha urdhrin “qëlloni për të vrarë” kundër protestave mbarëkombëtare. (Petr Trotsenko, Shërbimi kazak i REL-it)

/Shqip.com