Lajme

Shkolla nuk ka mësues në Pogradec!

Në fshatin Peshkëpi të Pogradecit shkolla është mbyllur edhe pse godina është e re. Shkolla nuk ka mësues, të cilin banorët e kanë kërkuar prej vitesh pranë Drejtorisë Arsimore, por kërkesa e tyre është injoruar.

“Vetëm 15 km larg Pogradecit, ndodhet Peshkëpia, një fshat që po braktiset dita ditës e ku sot jetojnë vetëm 20 familje”, raportojnë mediat në Shqipëri.

Mediat kanë raportuar se, shumë prej banorëve janë detyruar të marrin apartamente me qira në qytet për të shkolluar fëmijët, ndërsa gjatë fundjavës kthehen në fshat, ku kanë mbetur gjyshërit.

Prej më shumë se 8 vitesh në shkollën dhe kopshtin e fshatit Peshkëpi nuk ka mësues, ndaj 15 nxënës janë regjistruar në shkollat e qytetit të Pogradecit, edhe pse në fshat godina është ndërtuar nga një donator privat.

Të moshuarit tregojnë se mbyllja e shkollës, mungesa e shërbimeve dhe amortizimi i rrugës po çojnë drejt shpopullimit të Peshkëpisë.

/Shqip.com