Shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Deçan i jep fund grevës, nis mësimin nga e hëna
Qazim Maloku, drejtor i shkollës “Lidhja e Prizrenit”, në Deçan ka njoftuar se nesër do të nisin procesin mësimor.
Kështu kjo shkollë i bashkohet shkollave që nuk e po e respektojnë vendimin e SBASHK-ut për t’iu bashkuar grevës së përgjithshme në arsim.
“Njoftohen nxënësit dhe prindërit që pas një analize dhe diskutimi të mbajtur të premten me mësimdhënësit e shkollës sonë me 23.9.2022 u vendos që mësimi të fillojë të hënën me 26.09.2022!”, thuhet në njoftim.
Anipse mësimi do të nis, Maloku njofton se mësimdhënësit do të protestojnë çdo ditë para shkollës.
“Ne, njëzëri u dakorduam që greven ta përkrahim me protestë në rrugë para hyrjes së shkollës nga mësimdhënësit e të dy ndërrimeve, duke filluar në 12:15 deri në 12:45 çdo ditë pune deri në realizimin e kerkesave tona të parashtruara nga SBASHK-u!”, përfundon njoftimi.
Theksojmë se greva në arsim ka filluar më 25 gusht.
Mësimdhënësit po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj./Shqip.com