Kulturë

Shkolla e Baletit ngjit në TKOB “4 Stinët e Vivaldit”

Momente magjike kanë përjetuar të pranishmit në Teatrin e Operës dhe Baletit ndërsa shfaqej “4 stinët e Vivaldit” me koreografinë e Blerina Arbanës dhe interpretimin e nxënësve të Shkollës së Baletit.

“4 stinët e Vivaldit” kësaj here ishte konceptuar si një ndërthurje mes baletit dhe interpretimit të aktorit Reshat Arbana, “Artist i Popullit”.

Shfaqja me koreografinë e drejtores së Shkollës së Baletit, kishte mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Kongresit Rinor Kombëtar, si dhe të Tirana European Youth Capital.

“4 stinët” janë një nga pjesët instrumentale më të njohura në botë, edhe mes joprofesionistëve. Ato u shkruan në fillimin e viteve 1700 dhe u bënë publike fillimisht në Amsterdam, megjithëse mendohet se Antonio Vivaldi mund t’i ketë shkruar i frymëzuar nga natyra pranë Mantovës. Ashtu si në shfaqjen e Shkollës së Baletit, edhe në vitet 1700, muzika e Vivaldit, shoqërohej nga poezi, me siguri, të shkruara nga vetë kompozitori.

E pranishme në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ka qenë edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, si edhe personalitete të botës së artit dhe televizionit. /atsh

/Shqip.com